Paralajmërohet protestë nëse deri të premten s’lirohen masat
Sektori i Hotelerisë dhe Turizmit mbrëmë kanë mbajtur takim konsultativ me të gjithë pronarët e restoranteve dhe anëtarët e tjerë të këtij sektori.
Kryetari Visar Demolli tha se janë dakorduar t’i drejtohen me shkresë zyrtare institucioneve në lidhje me masat e reja dhe për lejimin e punës së sallave të dasmave.
“Patëm takimin e mbrëmshëm dhe kemi rënë në dakordim që nga Oda të dërgojmë një e-mail zyrtare dhe deri në ditën e premte të kemi edhe ne një konfirmim për sallat e dasmave për fillimin e punës”.
Ai thotë se në rast që deri ditën e premte nuk realizohen kërkesat e tyre atëherë do dalin me një protestë masive.
“Nuk e di ku qëndron problemi pse ata me bë një gjë të tillë dhe ne mos të punojmë. Në rast që nuk ka diçka pozitive ne kemi rënë në dakordim e kemi themeluar edhe këshillin iniciues që të organizojmë një protestë masovike”.
Demolli tha se dëmet janë të mëdha sepse nuk flitet vetëm për një departament, por mbi 34 sosh, ku dëmet sipas tij, janë të jashtëzakonshme.
“Këtu nuk flitet vetëm për dasmat sepse këngëtarët janë bërë target vetëm për bakshishe, këtu janë mbi 34 departamente që janë të varur prej dasmave, është sektor i gjerë me punëtorët e prodhuesit vendor dhe dëmi është i jashtëzakonshëm”, përfundoi Demolli.
I mllefosur me masat e fundit u shpreh edhe këngëtari dhe njëherit përfaqësuesi i divizionit të dasmave Afrim Muçiqi.
Ai në një intervistë për EO potencoi se këto masa janë të pakuptimta dhe shtoi se po ndihen të tradhtuar.
“Të pakuptimta dhe në një forme si Odë dhe departament kemi qenë të tradhtuar. Përderisa nuk na cenohet integriteti ne kemi respektuar masat. Andaj me përfaqësuesit e të gjitha regjioneve kemi mbajtur takimi dhe po shohim që protesta është e pashmangshme”.
Ai ka folur për Darkën e Lamës së organizuar nga presidentja, Vjosa Osmani duke e krahasuar me një dasmë.
Sipas tij, ata që i kanë miratuar masat po i shkelin vet ato, duke iu referuar kryeministrit e presidentes.
“Nuk kërkojmë diçka më shumë se të tjerët, por thjesht të drejtat tona dhe që dasmat të mbahen. Mbrëmë kanë filluar dasmat me muzikë live dhe ata kanë miratuar këto masa dhe vetë i kanë shkelur e që tashmë mund ta quajmë darkë apo drekë sepse ato po lejojkan”.
Si përfundim Muqiqi thotë se tashmë vaksinimi është kryer me sukses dhe nuk ka arsye të moslirimit të punës.
Me vendim të Qeverisë, që nga e diela është zgajtur orari për gastronominë deri në 23:00, përderisa ora policore vlen nga ora 00:00 deri në orën 05:00.























