Krasniqi: Burbuqja i dha shumë teatrit e kinematografisë
Sharr Travel

Krasniqi: Burbuqja i dha shumë teatrit e kinematografisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vdekjes së regjisores Burbuqe Berisha.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krasniqi tha se Berisha do të mbetet përherë ‘në zemrat tona’.

“Sa i trishtë lajmi për vdekjen e mikes sime, artistes së shquar, Burbuqe Berisha! Sa herët iku, kur ende kishte aq shumë plane e projekte para vetes. Burbuqja i dha shumë teatrit e kinematografisë kosovare, si regjisore e si profesoreshë. Ajo ishte një profesioniste shembull dhe një punëtore e madhe. Por, mbi të gjitha, ajo ishte një mike e sinqertë dhe e dashur me të gjithë.

Kisha fatin e madh të bashkëpunojë gjatë me të, në përpjekjet tona të përbashkëta për ta zhvilluar teatrin e kinematografinë dhe për ta dërguar artin tonë në skenat e mëdha botërore. Shumë suksese të Kosovës e mbajnë edhe emrin e punën e saj. Buqja la pas një trashëgimi të madhe artistike në teatër e film. Na la shumë kujtime. Dhe do të na mungojë shumë! Ngushëllime të sinqerta familjes, komunitetit artistik dhe të gjithë atyre që e njohën e patën nderin të punojnë me të”, ka shkruar kreu i PDK-së.

Burbuqe Berisha vdiq sot në objektin e Ministrisë së Kulturës, në moshën 51 vjeçare.


MË SHUME NGA Kulturë