Kërcënimi ndaj Kurtit, Mustafa ia kujton sulmin mbi shtëpinë e tij
Sharr Travel

Kërcënimi ndaj Kurtit, Mustafa ia kujton sulmin mbi shtëpinë e tij

Ish-kryeministri Isa Mustafa, ka reaguar pas lajmit për kërcënim të kryeministrit Kurti. Përmes një statusi në Facebook, Mustafa ka kujtuar kohën kur ai në cilësinë e kryeministrit ishte sulmuar me molotov nga protestues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ish-kryetari i LDK-së, ka thënë se nga ai sulm mbi shtëpinë e tij, kishte mbetur e tmerruar bashkëshortja e tij dhe policët që ishin në mbrojtje të tij.

Statusi i tij i plotë:

Miq të nderuar,

Mbrëmë u njoftuam se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e ka rrethuar shtëpinë e Kryeministrit Kurti, pas një kërcënimi që i ishte bërë.

Më erdhi keq!

Më vonë u tha se ishte një kërcënim nga adresa Shit e Blej!

Kjo ma kujtoi kohën kur, jo adresa shit e blej, por njerëzit e Albin Kurtit, Kryeministrit të tanishëm, në terrin e datës 26 shkurt 2016 sulmuan shtëpinë time, që isha Kryeministër i Kosovës, me bomba molotov.

Kur arrita në shtëpi e pyeta shoqen time se si u ndjeve, a pate frikë, a të mbrojti policia. Ajo ma ktheu: po çfarë!! Policët mezi e shpëtuan kryet e tyre, sepse e kapi flaka dhe tymi korridorin ku ata ishin të vendosur.

Nuk kishte njësi speciale as mbrojtje speciale.

Fati gruaja mbeti gjallë dhe policët që kujdeseshin për shtëpinë time nuk ishin lënduar.

Kujtime të rënda!


MË SHUME NGA Aktuale