Ahmeti publikon video nga viti 2019: Jam kundër shkëmbimit të territoreve
Sharr Travel

Ahmeti publikon video nga viti 2019: Jam kundër shkëmbimit të territoreve

Ish-anëtari i Ekipit Negociator të Kosovës, Shpend Ahmeti, me tri video nga viti 2019 ka dalë me sqarim pas akuzave ndaj tij se ka qenë përkrahës i idesë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje përfundimtare.

Të mërkurën, politikania boshnjake, Sabina Çudiq, në një shkrim në Facebook, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë pasur pajtim e madje edhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një marrëveshje për shkëmbim territoresh. Duke u munduar të japë kundërshtimet e saj për një plan të Matthew Palmerit për Bosnjën, Çudiq ka thënë se ish-i dërguari për Ballkanin Perëndimor ka qenë pro shkëmbimit të territoreve si zgjidhje të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Madje ka thënë se ai mund të jetë edhe autor i planit. Ajo nxori detaje nga një takim dhe përplasja me Palmerin, për çështjen e shkëmbimit të territoreve, teksa tha se gjithçka ndodhi pas një paneli ku ishte me Ahmetin.

Për të kundërshtuar akuzat ai ka publikuar tri video nga deklarimi i tij atë kohë. Ai aty dëgjohet teksa thotë se është kundër shkëmbimit të territoreve.

“Qëndrimi im për shkëmbimin e territoreve si publik ashtu edhe privat - dihet. Këtë qëndrim e kam shprehur gjithkund. Me insistimin tonë (Visarit e Dugagjinit) dhe me aprovimin e gjithë anëtarëve të delegacionit e kemi pas në platformë e që pastaj është votu nga Kuvendi se kufijtë janë të padiskutueshëm. Një kolege nga Bosnja me të cilën kemi qenë në panel ne Washington e ka përmend një diskutim joformal me Palmer ne një ‘cocktail’. Unë nuk kam qenë në atë diskutim. Meqenëse në postim e ka përmend që ka qenë në panel me mu më herët, disa njerëz kanë lidh paralele me mu. Mund ta pyetni edhe Sabinën (mediat) por më e mira është që ky panel para thinktank-ave të dhe opinion-bërësve në DC ka qenë publik dhe është online”, ka thënë ai.

Çudiq në shkrimin e saj ka përmendur edhe ish-ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, për të cilën ka thënë se i ka dalë në mbrojtje Palmerit “se përse po ndërhyja në marrëveshjen që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë?” Çitaku ka refuzuar ta komentojë postimin.

 


MË SHUME NGA Aktuale