Vdekja e pjesëtares së policisë në Gjilan, dalin detajet e para
BKT
Lajme

Vdekja e pjesëtares së policisë në Gjilan, dalin detajet e para

Një zyrtare policore rreth moshës 50-vjeçare është gjetur e vdekur pasditen e sotme në varrezat e qytetit në Gjilan.

Një zyrtare policore rreth moshës 50-vjeçare është gjetur e vdekur pasditen e sotme në varrezat e qytetit në Gjilan.

Pranë trupit të pajetë, ekipet hetuese kanë gjetur edhe një armë zjarri. Ky rast është cilësuar si vdekje e dyshimtë, ku trupi i së ndjerës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Nga vendi i ngjarjes, zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani tha se ky rast ka ndodhur rreth orës 16:00.

"Diku rreth orës 16:00, Policia e Kosovës në Gjilan është njoftuar për këtë rast. Njësitet Policore me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Është thirrur mjeku kujdestar që fatkeqësisht vetëm e ka konstatuar vdekjen e një personi femër që më vonë u vërtetua se është pjesëtare e Policisë së Kosovës. Dhe është thirrur prokurori i shtetit", ka thënë Hashani.

Shefi i hetimeve rajonale, nënkolonel Remzi Azemi theksoi se kanë njoftuar familjarët e të ndjerës, ku edhe Policia do të qëndrojë pranë tyre.

Azemi: Rasti po trajtohet si vdekje e dyshuar

"Mund ta konfirmoj që zyrtarja në fjalë ka qenë në marrëdhënie të rregullta pune dhe ka punuar pranë Drejtorisë Regjionale në Gjilan... Ende ne jemi në vendin e ngjarjes, jemi në fazën e parë të hetimeve. Trupi është gjetur i pajetë dhe mund të konfirmojmë se në afërsi të saj është gjetur një armë zjarr. Prokurori për Krime të Rënda në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njësitë e Hetimeve Rajonale rastin jemi duke e trajtuar si vdekje e dyshuar. Të gjitha veprimet hetimore nga ana e prokurorit, forensikës janë marrë në vendi e ngjarjes. Dhe trupi i pajetë me urdhër të prokurorit është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore ku do të kryhet obduksioni me trupin e saj", ka thënë ai.

Derisa është pyetur se a ka qenë e ndjera në orar të punës, Azemi theksoi se ka qenë në marrëdhënie të rregullta të punës në Policinë e Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme