PDK dhe LDK barazohen me komuna të fituara në Zgjedhjet Lokale
PDK nuk e mban e vetme fitoren në zgjedhjet e fundit lokale pas votave të diasporës.
Diaspora u tregua vendimtare dhe pos PDK-së, si ftuese të zgjedhjeve e përcaktoi edhe LDK-në.
Kjo për shkak se me vota të diasporës, LDK ia mori Dragashin PDK-së, shkruan GazetaExpress.
Memli Krasniqi në ditën e balotazhit u lajmërua nga Prizreni ku partinë e tij e shpalli fituese ndër partitë shqiptare.
Pas numërimit të votave nga KQZ, PDK-ja fitoi nëntë komuna, por jo për gjatë. Pas një gare të ngushtë në Dragash, PDK fitoi me vetëm 47 vota diferencë ndaj LDK-së.
Ky rezultat u përmbys pas numërimit të votave të diasporës dhe rrjedhimisht LDK doli t’i ketë fituar 8 komuna, po aqsa edhe PDK.
Pas një pauze 4-vjeçare, PDK-ja e riktheu edhe Skenderajn me Fadil Nurën të përkrahur nga Sami Lushtaku. Kjo fitore në Drenicë u finalizua në rundin e parë të zgjedhjeve.
Në total, PDK do të administrojë me tetë komuna: Mitrovicën, Prizrenin, Ferizajn, Skenderajn, Vushtrrinë, Drenasin, Kaçanikun dhe Hanin e Elezit.
LDK në këto zgjedhje krenohet me rikthimin e kryeqytetit pas 8 vjetëve administrim nga Shpend Ahmeti.
Pa balotazh LDK fitoi në Lipjan dhe Pejë, ndërsa sonte pos Prishtinës, mori Junikun, Istogun, Fushë-Kosovën, Vitinë dhe Dragashin, duke rrumbullaksuar tetë komuna.
AAK doli e treta nga partitë shqiptare duke marrë 5 komuna gjithsej. Pa balotazh e fitoi Suharekën dhe Deçanin, ndërsa sonte fitoi në Klinë, Rahovec dhe Gjakovë.
Partia e pushtetit që në zgjedhjet e fundit qendrore doli e para me mbi 50% të votave, arriti të marrë katër komuna në total, në mesin e tyre edhe një qytet të madh.
VV fitoi në Gjilan, Kamenicë, Shtime dhe Podujevë.























