Petkoviq: Prishtina hodhi poshtë temën për krijimin e Asocacionit
Bisedimet në nivel të kryenegociatorëve dhe ekspertëve nga Kosova dhe Serbia janë mbajtur sot në Bruksel, por nuk ka pasur takim të përbashkët për shkak të mosmarrëveshjeve rreth temave të diskutimit.
Kryenegociatori nga pala serbe Petar Petkoviq pas takimit me Miroslav Lajçak, tha se pala kosovare ka refuzuar temën e diskutimeve për asociacionin.
“Prishtina ka refuzuar të marrë pjesë në një bisedë të drejtpërdrejtë me ne, sepse ka refuzuar të flasë për asociacionin e komunave serbe”, tha Petkoviq për mediat serbe.
Petkoviq tha se Beogradi ngriti edhe çështjet e drejtësisë, energjisë, personave të pagjetur dhe lirisë së lëvizjes.
“Kemi parë që Kurti dërgon mesazhe nga Prishtina që e “vrasin” drejtpërdrejt dialogun, dhe i vënë nën këmbë të gjitha marrëveshjet e arritura. Si mund të flasim atëherë në Bruksel, kur në të njëjtën ditë Kurti thotë gjithçka të kundërtën për vetë marrëveshjen”, tha Petkoviq.
Duke iu përgjigjur pyetjes se si do të vazhdojë dialogu, ai tha se tash gjithçka është në dorën e Lajçak dhe Bashkimit Evropian.























