Mbahet dita e dytë e konferencës shkencore të Institutit Pedagogjik
BKT
Lajme

Mbahet dita e dytë e konferencës shkencore të Institutit Pedagogjik

Ka vijuar dita e dytë e konferencës shkencore me temën “Ndikimi i COVID-19 në humbjet mësimore, pasojat në rritjen e pabarazive në mësim dhe sfidat e përmbushjes/kompensimit”.

Në Prishtinë për herë të katërt ekspertë ndërkombëtarë kanë diskutuar dhe sjellë përvojat e vendeve të tjera në vijimin e mësimit gjatë kohës së pandemisë.

Kryetari i Institutit Pedagogjik të Kosovës, Nezir Çoçaj theksoi se sot do të prezantohen punime ndërkombëtare në pabarazitë e shfaqura në mësim gjatë kohës së mbylljes si shkak i pandemisë.

Çoçaj: Shumë shtete përmbajtjet mësimore i kanë zvogëluar me 30 për qind

“Shumë shtete përreth dhe shumë shtete të tjera në nivel të Evropës që prezantuan në praktikat e tyre, e patë që përmbajtjet mësimore i kanë zvogëluar në 30 për qind. Jo të realizohet i gjithë plani dhe programi që parashihet në nivelet standarde gjatë një viti shkollor. Ata kanë kërkuar po ashtu që rezultatet e të nxënit, të zvogëlohet numri i tyre. Mirëpo, këtë kanë të drejtë ta bëjnë organet që kanë të drejta ekzekutive. Ne si Institut kemi tentuar që t’i matim të gjitha këto që janë realizuar sa ka pabarazi dhe rëndësia e kompensimit të tyre”, ka thënë Çoçaj.

Hulumtuesja Haxhere Zulfiu ka prezantuar studimin për Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve me bazë në shkollë. Ajo tha se qëllimi i këtij studimi është që të analizohet dhe të sillet një pasqyrë për praktikat e shkollave për zbatimin e avancimit e procesit të zhvillimit profesional në klasat prej 1 deri në 9, në 14 shkolla të Kosovës.

Zylfiu: Vetëm dy shkolla kanë realizuar vlerësim të brendshëm të performancës 2021/2022
 

"Vetëm dy shkolla kanë realizuar vlerësim të brendshëm të performancës së shkollës në vitin 2020/2021. Pra, nga 14 shkolla vetëm në dy shkolla kemi gjetur raporte të vlerësimit të brendshëm të performancës së shkollës dhe është me rëndësi që kemi vërejtur rënie patjetër, sepse në vitin paraprak kemi pasur shtatë shkolla që kanë realizuar vlerësim të brendshëm nga këto. Në asnjërën nga këto që kanë qenë në vitin paraprak, në asnjërën nga raportet e vlerësimit të brendshëm të shkollës nuk kemi hasur që shkollat e kanë pasur prioritet edhe fushën e zhvillimit profesional të mësimdhënësve”, ka thënë ajo.

Ajo theksoi se në asnjërën nga 14 shkollat, nuk ka pasur plan për zhvillimin profesional të mësimdhënësve.

Zylfiu: Në asnjërën shkollë nuk kemi gjetur plan për zhvillim profesional

“Çfarë është e dhimbshme është se në asnjërën shkollë nuk kemi mundur të gjejmë ose të na ofrojë plan për zhvillim profesional nga 14 shkollat sa janë të përfshira. Kemi gjetur disa dosje në shkolla, në të cilat ndër të tjera ka edhe disa planifikime për zhvillim profesional. Por kryesisht këto dosje janë që janë përgatitur për licencimin e mësimdhënësve. Aty janë disa planifikime që mësimdhënësit i kanë për planifikime individuale”, ka thënë ajo.

Gjatë ditës së djeshme në këtë konferencë shkencore është bërë e ditur se nxënësit gjatë mësimit online janë ballafaquar me mungesën e teknologjisë, rrjetit por edhe përvojës. Po ashtu, se organizimi i mësimit në këtë kohë nuk ka qenë i efektshëm, ku ka pasur edhe humbje të mëdha të orëve mësimore.


MË SHUME NGA Lajme