`Mall për Panairin`-mbyllet edicioni i 24-të i Panairit të Librit në Tiranë
BKT
Kulturë

`Mall për Panairin`-mbyllet edicioni i 24-të i Panairit të Librit në Tiranë

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë mbrëmë është përmbyllur edicioni i 24-të i Panairit të Librit. Edhe pse në kushte pandemie, panairi u cilësua i suksesshëm, ku u prezantuan botimet e reja, u përuruan libra, si dhe u ndanë çmimet tradicionale të Panairit.

Vera Pelaj/Radio Kosova

“Mall për Panairin”, ishte fjalia që përsëritej nga shkrimtarët, botuesit dhe vizitorët, në edicionin e 24-t, të panairit tradicional të Librit “Tirana 2021”, i cili pas pesë ditësh u mbyll mbrëmë në Pallatin e Kongreseve. Ndonëse në kushte pandemie, Shoqata e Botuesve të Shqipërisë arriti ta organizojë edhe pse me 25% më pak të kapacitetit.

Këtë vit morën pjesë 95 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova e trevat e tjera shqiptare, të cilat prezantuan tituj të rinj nga autorët shqiptarë dhe të huaj. 

Arbër Rrahmani nga shtëpia Botuese “Faik Konica”, sfidë të këtij edicioni e specifikoi pandeminë.

“ Ka ndikuar keq edhe në shtëpitë botuese sepse janë shfaqur vështirësi të shumta. Komunikimi me autorë të ndryshëm ka qenë shumë më i mangët, mirëpo megjithatë, organizimi i një panairi të tillë është mundësi e mirë që të kemi kontakte me autorë të ndryshëm, me botues, me lexues...”

Aida Baro nga Shtëpia Botuese “Pegi” tregon se këtë vit janë përqendruar tek përkthimi i letërsisë.

“ Kemi sjellë tituj të rinj shumë të mirë nga autorë të ndryshëm. Bëhet fjalë për librin që titullohet “Vajzat e fshatit”, nga autorja irlandeze Erna Obrajan, po ashtu dhe “Kosherja”, nga autori spanjoll që është një Nobel i vitit 1989, Kamilo Hoze Sela”. 

Ndërkaq, Edon Zeneli nga Shtëpia Botuese Buzuku, tha se janë botimet e dy viteve të fundit që konsiderohen tituj të rinj për Panairin e sivjetmë.

“ Është autobiografia e presidentit amerikan Joe Biden, i cili flet për sfidat personale gjatë kohës sa djali i tij Beau Bajden po luftonte më sëmundjen e kancerit, një libër tjetër me interes është autobiografia e Mahatma Gandit, një nga figurat më të rëndësishme të shekullit 20, dhe lufta e tij për lirinë e popullit të vet dhe jo violencës si rrugë”.  

Autori më i mirë shqiptar në kuadër të Panairit “Tirana 2021” u shpall shkrimtari Virgjil Muçi, me vëllimin me tregime “Fajin ma ka gjuha”. 

 


MË SHUME NGA Kulturë