Shqipëria miraton dy marrëveshje të rëndësishme me Kosovën
Dy marrëveshje janë gati nga Shqipëria me Kosovën për lehtësimin e procedurave dhe trajtimin e barabartë të shtetasve të të dy vendeve.
Qeveria e Shqipërisë miratoi dy marrëveshje me rëndësi me Kosovën që lidhen me lejet e qëndrimit dhe lejet e punës me procedura të lehtësuara si dhe mbrojtjen sociale të shtetasve të të dy vendeve.
Tash shtetasit e Kosovës nuk do të kenë nevojë të dorëzojnë dokumentacione shtesë për lejeqëndrim dhe lejepune për 5 vjet.
mMinistri i Brendshëm, Bledi Çuçi e quajti marrëveshjen "lajm i mirë për shtetasit e Kosovës "në Shqipëri" dhe për "shtetasit e Shqipërisë në Kosovë".
“Shtetasit e Kosovës do të marrin me një aplikim, pa dokumente lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri dhe brenda lejes së qëndrimit do të jetë edhe leja e punës. Shqiptarët në Kosovë do të marrin leje qëndrimi me procedura shumë më të lehtësuara”, - tha Zoti Çuçi
Marrëveshja tjetër ishte për njohjen e viteve të punës, sigurimeve shoqërore për qytetarët në të dy shtetet, raporton korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.
Sipas ministres për Ekonomi dhe Financë, Delina Ibrahimaj, marrëveshja ka të bëjë me mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë për njohjen e periudhave të sigurimeve shoqërore.
Zonja Ibrahimaj tha se marrëveshja siguron “trajtim të barabartë të punësuarve, punëmarrësve, vetëpunësurave t'u njihen periudhat e sigurimit dhe të kontributeve, barrëlindjet, aksidenteve në punë, pensioneve të pleqërisë, të invalidetit, apo pensioneve familjare në të dyja vendet”.
Të dy marrëveshjet do të firmosen në mbledhjen e shtatë të përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës të premten e 26 nëntorit në Elbasan.























