KIPRED: Aktivitetet ruse kundër Kosovës janë intensifikuar
Sharr Travel

KIPRED: Aktivitetet ruse kundër Kosovës janë intensifikuar

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) sot prezentoi punimin “Observeri i Kosovës: Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformatat Mediale, 15 gusht – 31 tetor 2021”.

Observeri i Kosovës: Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial – është një raport tremujor që synon t’i analizojë deklaratat publike dhe publikimet të establishmentit të politikës së jashtme të Rusisë, dhe veçoritë e lajmeve që përmbajnë dezinformata dhe keqinformim që kanë për shënjestër Kosovën, të publikuara nga mediat ruse në gjuhën angleze dhe serbe.

Ky punim konkludon se një moment i rëndësishëm për intensifikimin e bashkëpunimit ruso-serb kundër shtetësisë së Kosovës dhe stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor mund të ketë ndodhur gjatë vizitës së Presidentit serb në Moskë dhe takimit të tij me Presidentin rus Putin më 25 nëntor 2021. Lidhur me këtë, duhet të vërehet se përplasjet e fundit midis Prishtinës dhe Beogradit, si dhe ato midis Prishtinës dhe Moskës, të shoqëruara me mungesën e progresit në dialogun e ndihmuar nga Brukseli midis Kosovës dhe Serbisë, e kanë krijuar një tokë të plleshme për intensifikimin e mëtutjeshëm të luftës diplomatike të Rusisë kundër Kosovës dhe për rrënimin e themeleve të përpjekjeve të Perëndimit për gjetje të një zgjidhjeje të qëndrueshme të mosmarrëveshjeve midis dy vendeve fqinje.

Politikat revizioniste ruse të de facto mosnjohjes së kufijve ndërshtetërorë të ish-republikave sovjetike dhe të vënies në pyetje të legalitetit dhe të legjitimitetit të njohjes së Kosovës nga Perëndimi, janë një nga arsyet e veprimeve të tyre malinje në Ballkanin Perëndimor. Këto politika revizioniste të Kremlinit synojnë po ashtu që ta vejnë në pyetje edhe validitetin e kufijve ndërshtetërorë të Bosnjës e Hercegovinës, duke i përkrahur prirjet separatiste të udhëheqësit të

Republikës Serbe Millorad Dodikut, dhe duke e keqpërdorur dhe mbajtur qëndrimin armiqësor ndaj pavarësisë së Kosovës, duke e krahasuar atë edhe me Krimenë, me qëllim të destabilizimit të Evropës Juglindore dhe rrënimit afatgjatë të themeleve të përfshirjes së Perëndimit në stabilitetin dhe në sigurinë e rajonit.

Lidhur me këtë, analizat e deklaratave, të konferencave për shtyp, dhe të dokumenteve të tjera të establishmentit të politikës së jashtme ruse nga 15 gushti deri më 31 tetor 2021, tregojnë qartë vazhdimin e synimit të narrativave për t’i rrënuar themelet e shtetësisë së Kosovës dhe të angazhimit perëndimor në Kosovë dhe në rajon, si dhe për t’i akuzuar autoritetet kosovare për ushtrim të dhunës ndaj komunitetit serb, dhe për t’ua mohuar atyre të drejtën e tyre për të luftuar kundër krimit të organizuar në të tërë territorin e vendit.

Aktivitetet publike të establishmentit të politikës së jashtme ruse kundër Kosovës gjatë kësaj periudhe janë intensifikuar që nga gjysma e dytë e shtatorit 2021 me fillimin e krizës afatshkurtër në pjesën veriore të Kosovës dhe me dëbimin e dy diplomatëve rusë të Zyres së Ambasadës së Rusisë në Prishtinë, në fundin e tetorit 2021.

Së fundi, analizat e diskurseve të lajmeve që kanë përmbajtur dezinformata dhe keqinformime malinje nga mediat e përzgjedhura, të cilat janë dorë e zgjatur e Moskës, tregojnë se, në përgjithësi, ato e ndjekin narrativat e establishmentit të politikës së jashtme të Rusisë, ndërkokë që Sputnik Serbia, Russia Today dhe TASS-i janë në ballë të këtyre veprimtarive informative malinje kundër Kosovës

 


MË SHUME NGA Aktuale