“Të Lirë” – Libri biografik i vitit sipas “The Times”
E përditshmja britanike “The Times” vlerëson librin autobiografik “Të Lirë” nga Lea Ypi, në majën e librave më të vlerësuar të vitit 2021.
“Këto kujtime mbresëlënëse, shfaqin optikën e një regjimi komunist, në sytë e një fëmije”.
Disa kanoçe boshe “Coca-Cola” të glorifikuara në formë suveniresh dekorativë, gurë që caktonin vendin në radhët e bukës apo një statujë e bronztë e një Stalini të dekapituar.
Të gjithë këto detaje, sipas të përditshmes britanike “The Times”, meritojnë ta vendosin “Të Lirë” nga Lea Ypi, në majën e librave më të vlerësuar të 2021-shit, duke e cilësuar atë madje si titulli i vitit.
Në botëkuptimin e shfaqur në artikullin e “The Times”, është pikërisht fundi i fëmijërisë së Ypit, i cili përkon me fundin e rënies së regjimit komunist, çfarë e bën të jashtëzakonshëm rrëfimin e saj.
“Nëse keni vendosur të lexoni një libër me kujtime këtë vit, le të jetë ky ai”, shkruhet në vlerësimin e medias britanike.
Ajo çfarë i jep një tjetër shije shkrimit monumental të Ypit, është po ashtu zbulimi i njëpasnjëshëm i të vërtetave tronditëse. Këto të fundit, tek ajo, përcillen nga prindërit, për të krijuar më pas një konfuzion dhe shkëputje nga adoleshenca e (pa)jetuar.
E zhytur në kaosin e një shteti kapitalist, Ypi gjendet në dilemën e saj përfundimtare: A ka një regjim, i cili në të vërtetë, na lejon të jemi të lirë?
Përgjigjen e saj, Ypi e jep të shkriftuar në rreshtat e rrjedhshëm.
Ndërsa, vetë autorja, gëzimin për këtë titullim, nuk mundohet as ta fshehë.
“Është kaq e mrekullueshme të shohësh ‘Të Lirë’ të zgjidhet nga “Sunday Times” si libri i vitit biografik dhe përkujtimor”, shkruan ajo në në Twitter.























