Vuçiq: Do të hetohet nëse ka akuza serioze ndaj Veselinoviq e Radojçiq
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka reaguar pasi bosët e krimit në veri Milan Radojçiq e Zvonko Vesellinoviq janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.
Në një konferencë për media, Vuçiq tha se organet përkatëse serbe do të hetojnë gjithçka, në rast se ekzistojnë “akuza serioze kundër tyre”.
Ai tha se ka pranuar një raport joformal nga Ambasada amerikane rreth këtij vendimi.
“Ata i akuzuan fillimisht për tregti ilegale. Në fund do t’i akuzojnë që nuk po e respektojnë kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë, por kjo nuk është asgjë e re. Nëse ekzistojnë akuza serioze, organet tona shtetërore do t’i hetojnë”, tha Vuçiq.
Presidenti serb shtoi se druan “që një dokument të këtillë do të mund të pranojë edhe për disa njerëz në funksione shumë më të larta në rajon”.
“Atëherë a do të reagojmë ashtu? Gjithçka që pranojmë me çfarëdo treguesi se dikush ka kryer ndonjë vepër penale, organet tona përgjegjëse do të jenë të gatshme që në po atë moment të verifikojnë gjithçka” tha Vuçiq.
Vuçiq njëkohësisht mohoi që Partia Përparimtare Serbe (SNS), në krye të së cilës është, ka marrë para nga Veselinoviq.
“Asnjë dinarë nuk na ka dhënë, sa më përket mua për të tjerët nuk e di. Partia të cilën e udhëheq, ka më shumë se mjaftueshëm para falë mjeteve shtetërore dhe anëtarësimit. Këto janë burimet tona kryesore. Kurrfarë nevoje nuk kemi për çfarëdo para tjera”, përfundoi Vuçiq.
Departamenti i Thesarit ka vënë në listën e sanksioneve, nënkryetarin e Listës Serbe Milan Radojçiq, biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, vëllain e tij, Zharkon dhe 10 persona të tjerë të lidhur me ta.
Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta./tch























