Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për pjesëmarrje në ISIS
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurit A.M., nën dyshimet për organizim, pjesëmarrje në grup terrorist, lehtësim në kryerjen e terrorizmit, si dhe rekrutim për terrorizëm.
Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS, ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë.
I njëjti në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthorazi nga zonat e konfliktit në Siri, si pjesëtar i organizatës terroriste ISIS, ka ofruar fonde për qytetarët nga Kosova, të cilët janë interesuar për të udhëtuar për në Siri, që t’i bashkëngjiten kësaj organizate.
Gjithashtu, përmes ligjëratave të cilat i ka mbajtur në Kosovë, publikisht u ka bërë thirrje personave tjerë që t’i bashkëngjiten organizatës terroriste ISIS që vepronte në Siri dhe Irak.























