Paralajmërohet “dora e shtetit” për krizën energjetike
BKT
Lajme

Paralajmërohet “dora e shtetit” për krizën energjetike

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë një sërë vendimesh. Kabineti qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, përmes miratimit të projektligjit të ri do t’i detyrojnë mjekët në sektorit publik dhe profesorët universitar të deklarojnë pasurinë në Agjencinë kundër Korrupsionit.

Qeveria miratoi plotësim-ndryshimet në Ligjin për vetëqeverisje lokale dhe atë për sistemin e menaxhimit të performancës së komunave. Ekzekutivi përmes udhëzimit të ri administrativ ia ndaloi mundësinë e kompensimit pa bazë ligjore të ekspertëve mjeko-ligjor. Gjithashtu u paralajmërua dora e shtetit në gjetjen e një zgjidhje për krizën energjetike në Kosovë.

Para kësaj vendimmarrje, kryeministri Albin Kurti u mburr për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit në tetë muaj qeverisje. Ai tha se toleranca ndaj individëve të korruptuar në qeverinë e tij do të jetë zero.

Duke përshëndetur sanksionet ndaj Zvonko Veselinoviq e grupit të tij kriminal në veri, Kurti tha se nuk do të lejohet asnjë individ apo grup të jetë më i fortë se shteti ligjor dhe demokratik.

“E kemi mirëpritur vendimin e fundit të ShBA-së për sanksionimin e personave me dosje kriminale. Milan Radonjqiq, Zvonko Veselinoviq, Zharko Veselinoviq, Marko Roshiq, Adrea Bojiq, Serxhan Muloviq, Radovan Radiq dhe Radulla Steviq. Sanksionet e SHBA-së mbi këta individë dhe grupe kriminale treguan qartë adresat dhe vatrat e kriminalitetit që shtypin dhe shfrytëzojnë qytetarët e pjesës veriore dhe vërtetuan legjitimitetin e Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrbanduesve të mallrave ilegale. Lidhjet dhe bashkëpunimi ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transcaional ne do t’i përgjigjemi me luftë të përbashkët ndërmjet zyrtarëve të institucioneve tona dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët tanë. Kosova është e përcaktuar qartë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në cilado pjesë të vendit. Nuk do të lejojmë asnjë individ apo grup të jetë më i fortë se shteti ligjor dhe demokratik”, tha ai.

Duke arsyetuar projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se i njëjti parasheh shumë risi dhe mundëson evidentimin e çdo gabimi potencial.

“Ky projektligj parasheh disa risi që vijnë si përgjigje ndaj nevojave bashkëkohore për të tregtuar çështjet të pasurisë së zyrtarëve publik. Projektligji, ndër të tjera, mundëson deklarimin e pasurisë online me qëllim të evitimit të gabimeve potenciale dhe të kontribuojë në ngritjen e transparencës dhe mundësojë trendin e pasurisë së zyrtarëve publikë... Është bërë një kategorizim i ri i zyrtarëve publikë që do të deklarojnë pasurinë, që përfshijnë zyrtarë të lartë dhe zyrtarë publikë si dhe kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë. Në kategorinë e zyrtarëve publikë si subjekte deklaruese janë shtuar mjekët e licencuar që ushtrojnë veprimtari në institucione publike, si dhe profesorët e universiteteve publike”, tha ai.

Ndërsa në miratimin e projektligjit për kompensimin e viktimave të krimit, Sallahu tha se do të bëhet zgjatja e afatit të aplikimit dhe ridefinimi i dëmeve të kompenzueshme.

Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi tha se përmes miratimit të Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale do të rregullohen shumë paqartësi. Teksa për Projektligjin për sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemave të bazuara në performancë, Krasniqi tha se do të themelohet granti për performancë komunale.

“Plotësim-ndryshimi i ligjit nuk prek sistemin e qeverisjes lokale por vetëm çështjet që kanë paraqitur vështirësi në zbatim e të cilat vlerësohet si të rëndësishme për funksionimin e qeverisjes lokale. Ai fokusohet në sqarimin e kompetencave vetanake, afatet ligjore dhe shqyrtimi i ligjshmërisë së afateve komunale, matjen e performancës së komunave dhe çështjen e mandatit të anëtarëve të kuvendit komunal dhe kryesuesit së Kuvendit, është shtuar pozita e zëvendësit të kryesuesit të komunës dhe janë rregulluar rastet kur pozita e kryetarit të komunës mbetet vakante dhe është rregulluar procesi për zgjedhjen e nënkryetarit nga komunitet... E veçanta e projektligjit është themelimi i grantit për performancë komunale, si kategori e veçantë e financuar për komunat në bazë të kritereve të qartë dhe meritor”, tha ai.

Qeveria miratoi udhëzimin administrativ për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për kompensimin e punës jashtë orarit dhe pjesëmarrjes në seanca gjyqësore të ekspertëve mjeko-ligjor.

Kryeministri Kurti tha se ky udhëzim administrativ do të eliminojë mundësinë e kompensimit pa bazë ligjore.

“Miratimi i këtij udhëzimi administrativ do të mundësojë ofrimin e shërbimeve nga fusha e mjekësisë ligjore në mënyrë institucionale duke eliminuar mundësinë e kompensimit për kryerjen e ekzaminimeve mjekoligjore pa bazë ligjore, e cila ka dëmtuar buxhetin në shumën afro 840 mijë euro”, tha ai.

Kreu qeveritar foli edhe për krizën energjetike, duke kërkuar nga ministrat e linjës veprime për të siguruar stabilitetin energjetik.

“Deri më tash kemi arritur të evitojmë efektet e kësaj krize falë kapaciteteve vendore për prodhimin e energjisë, mirëpo zgjatja e gjendjes së krizës dhe rritja e konsumit sidomos gjatë muajve të dimrit i tejkalojnë kapacitet vendore dhe mundësitë financiare që ka sektori energjetik për të vazhduar për përballen me këtë krizë”, tha Kurti

Zgjidhje paralajmëroi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Besoj se shumë shpejt dhe brenda ditëve do të vijmë në qeveri me rekomandimet specifiket për të tejkaluar këtë situatë me efekte sa më të vogla për konsumatorët”, tha jo.

Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi themeloi edhe grupin koordinues ndërinstitucional për të drejtat e njeriut.


MË SHUME NGA Lajme