Gërvalla për “300 të dënuarit danezë”: Për shkaqe ekonomike s’mbahen atje
Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar marrëveshjen nëpërmjet së cilës rreth 300 të burgosur pritet të transferohen nga burgjet e Danimarkës në ato të Kosovës.
Nga kjo marrëveshje Kosova do të përftojë 210 milionë euro, kurse të burgosurit që do të transferohen thuhet se nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Por, kryediplomatja Gërvalla ka thënë se më shumë për shkaqe ekonomike e financiare nuk i mbajnë atje, se për arsye tjera, gjë që duket e paqëndrueshme, pasi që sikur të ishte për shkaqe financiare në raport me Danimarkën, kjo nuk do ia jepte 210 milionë Kosovës.
Gërvalla ka thënë se transferimi i këtyre të burgosurve vjen si rezultat i një vendimi që ekziston në Danimarkë, ku të dënuarit nuk mbahen në burgjet atje për shkaqe ekonomike dhe financiare.
“Ka një vendim të institucioneve daneze qe për kategori të caktuara të burgosurish, për një dënim të caktuar, të dënuarit të mos mbahen në Danimarkë. Më tepër për shkaqe ekonomike, financiare sesa për shkaqe tjera por të zhvendosen në shtete tjera”, tha ajo në Kanal 10.
Tutje ajo ka shtuar një marrëveshje e tillë me Danimarkën është kompliment për Kosovën.
“Unë e shoh si një kompliment të madh për Kosovën qe një shtet kaq fanatik, kaq konservator në çështje të shteti ligjor si Danimarka thotë se ne i shohim të plotësuara kushtet që ata të vendosen në Kosovë. Unë mendoj që ky bashkëpunim është i mirëseardhur dhe është një shenjë respekti për progresin që ka bërë Kosova në këtë fushë”, shtoi ajo.
Ministria e Drejtësisë sot përmes një komunikate për media ka dhënë detaje lidhur me marrëveshjen për të burgosurit, teksa thuhet se të burgosurit do të vendosen në Qendrën Korrektuese në Gjilan.
“Ministria e Drejtësisë zotohet për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar, të cilët do të sjellën nga Mbretëria e Danimarkës. Të dënuarit të cilët do të tranferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtrishm”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, nga ky kompensim do të përfitojnë në masë të madhe edhe institucionet e drejtësisë, po ashtu edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, ndaj të cilit do të ndikojë në ngritjen e cilësisë dhe infrastrukturës së përgjithshme të këtij shërbimi.
“Theksojmë që institucionet daneze i kanë vlerësuar pozitivisht trajtimin e të dënuarve në Kosovë dhe kapacitetet tona në këtë drejtim. Kjo është mundësi drejt një bashkëpunimi të afërt mes dy shteteve tona, duke thelluar partneritetin strategjik mes nesh”.
Ndërkaq, ministri i Drejtësisë në Danimarkë, Nick Haekkerup kishte deklaruar se kapaciteti i burgjeve në Danimarkë duhet të rritet në mënyrë që t’u bëhet vendi rreth 1 mijë të burgosurve, sipas tij në këtë aspekt Kosova do të ndihmojë duke i dhënë me qira 300 qeli burgu. Ministri danez ndër të tjera kishte deklaruar se të burgosurit vijnë nga shtetet e botës së tretë.























