Konjufca reagon ndaj Shërbimit sekret serb që mori në pyetje Kelmendin
BKT
Lajme

Konjufca reagon ndaj Shërbimit sekret serb që mori në pyetje Kelmendin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pasi që BIA serbe ka marrë në pyetje gazetarin Adriatik Kelmendi gjatë një vizite të tij në Beograd në dhjetor.

Me anë të një postimi në Facebook, këtë akt ai e ka quajtur të trishtë dhe të papranueshëm.

Po ashtu, në këtë postim Konjufca ka reaguar edhe për legjitimimin e shprehjes shoviniste “siptari” nga Gjykata e Apelit në Serbi, ku kjo instancë gjyqësore rrëzoi padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar ndaj ministrit serb, Aleksander Vulin për përdorimin e këtij termi.

Tutje, Konjufca ka përmendur edhe ndalimin e përdorimit të simboleve të shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Të gjitha këto zhvillime, Konjufca i ka ndërlidhur me ftesën e Vuçiqit për “Ballkanin e Hapur”, i cili siç thotë ai po tentohet të shitet si “fqinjësi e mirë”.

Postimi i plotë i Konjufcës:

Sot Gjykata e Apelit në Beograd e ka quajtur të ligjshëm përdorimin e termit shovinist e ofendues për shqiptarët, duke e rrëzuar padinë e ngritur ndaj ministrit të brendshëm Vulin nga Këshilli Kombëtar Shqiptar. Serbia udhëhiqet nga figura politike të cilat i mohojnë masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë.

Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ende u ndalohet përdorimi institucional i flamurit kombëtar edhe pse jetojnë në trojet e veta. Populli ynë atje është pakica kombëtare më e diskriminuar në Evropë.

Në anën tjetër sot është intervistuar gazetari Adriatik Kelmendi nga shërbimi sekret i Serbisë. Gjatë kohës së Milosheviqit këto i quanin ‘biseda informative’. Vërtet e trishtë dhe e papranueshme.

Hiç më larg se dje Vuçiq edhe një herë na bëri ftesë për pjesëmarrje në Open Ballkan, duke shtuar se Serbia do të jetë ‘shtëpi e dytë’ për shqiptarët.

Ky është Open Ballkan i 24 orëve të fundit që po tentohet të na shitet si ‘fqinjësi e mirë’.


MË SHUME NGA Lajme