Rritja e pensioneve,"Musine Kokalari": Ky vendim s`ka trajtim të mirëfilltë
Instituti për Politika Sociale "Musine Kokalari" ka reaguar për vendimin e qeverisë për rritjen e pensioneve për katër kategori.
Instituti për Politika Sociale "Musine Kokalari" konsideron se çdo rritje monetare për kategoritë sociale është e vlefshme dhe më se e nevojshme. Por, ky vendim nuk i trajton pensionet në mënyrë të mirëfilltë dhe as nuk i adreson nevojat për mirëqenien e
pensionistëve.
Nga vendimi i Qeverisë shihet se:
- Rritjet aktuale nuk janë mjaftueshëm të shpjeguara, as në kuptimin e efektit të
tyre aktual dhe as në qëllimet afatgjate të Qeverisë së Kosovës karshi nevojave
sociale të vendit.
- Qasja e parcializuar karshi problemeve dhe mangësive të shtresëzuara e të
ndërlidhura, jo vetëm që nuk zgjidh ndonjë gjë, por rrezikon të shndërrohet në
pengesë për reformat e thella transformuese e të nevojshme për sistemin tonë
social.
Qeveria duhet ta nisë reformën pensionale në mënyrë që tërësia e saj, por edhe
mënyra e veçantë e rregullimit të synojë ofrimin së paku të një standardi minimal të
jetesës për qytetarët pensionistë të Kosovës. Për këtë çështje, duhet të nisë sa më parë
konsultimi publik me të gjitha kategoritë e caktuara, mediat e shoqërinë civile që për
kohë të gjatë ka punuar dhe avokuar për sistem të mirëfilltë pensional.























