Veselinoviq: Nuk zbulohet vrasja e Ivanoviqit me Vuçiqin në Qeveri
Lajme

Veselinoviq: Nuk zbulohet vrasja e Ivanoviqit me Vuçiqin në Qeveri

Me rastin e katër vjetorit nga vrasja e politikanit Oliver Ivanoviq, disa qindra qytetarë së bashku me partitë opozitare serbe kanë marshuar në Beograd.

Kryetari i Lëvizjes për Ndryshim, Janko Veselinoviq ka deklaruar se e vërteta për vrasjen e Ivanoviqit nuk do të dihet derisa të ndryshojë qeveria aktuale në Serbi.

"Nuk do të harrojmë apo të ndalojmë së kërkuari se kush e vrau Oliver Ivanoviqin. Do të jetë e vështirë të arrihet kjo e vërtetë pa ndryshuar regjimi aktual në Serbi" tha Veselinoviq gjatë marshimit.

Tubimi ka filluar para Presidencës serbe për të përfunduar para kishës Shën Marku, duke kërkuar drejtësi. Subjektet opozitare që po marrin pjesë në marshim janë Partia Demokratike, Lëvizja Çlirimtare, Partia Popullore dhe Partia për Liri dhe Drejtësi. Ditë më parë, djali i politikanit serb, Nikolla Ivanoviq kishte thënë se akti i vrasjes isht politik.

“Është padyshim një akt politik. Me kalimin e viteve, po dëshmohet se kjo do të zgjasë. Diçka drastike do të duhej të ndryshonte në atë proces për të thënë se ai na dërgon drejt një zgjidhjeje”, kishte thënë ai. Ndryshe, Oliver Ivanoviq, lideri i iniciativës qytetare Liria, Demokracia, Drejtësia (SDP), ishte vrarë më 16 janar 2018 me armë zjarri para zyrës së tij në veri të Mitrovicës nga një veturë në lëvizje.