Kryetarët e komunave kërkojnë zgjidhje për zbatimin e kontratës kolektive
Lajme

Kryetarët e komunave kërkojnë zgjidhje për zbatimin e kontratës kolektive

Në takimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës të Këshillit të Kryetarëve të Komunave të Republikës së Kosovës është biseduar edhe për problemet e komunave me zbatimin e Kontratës Kolektive në Arsim dhe Shëndetësi.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovë, Imri Ahmeti paraqiti sfidat dhe problemet buxhetore të komunave me rastin e zbatimit të njëanshëm të pjesëve të caktuara të Kontratës Kolektive nga përmbaruesit privat.

Kryetari Ahmeti shtoi se komunat nuk kanë qenë palë në nënshkrimin e marrëveshjes së Kontratës Kolektive për Arsim dhe Shëndetësi.

Kryetarët e komunave të cilët paraqiten hollësisht problemet e tyre në këtë drejtim ritheksuan se kjo situatë e rënduar ku përmbaruesitë po tërheqin mjetet buxhetore nga buxhetet komunale mund të mbingarkohet në muajt në vazhdim deri në prishjen e skemave buxhetore komunale.

Ata thanë se janë duke paguar dëmin që ka sjell nënshkrimi i Marrëveshjes për Kontratën Kolektive për Arsim dhe Shëndetësi nga ministritë përkatëse pa konsultim me komunat.

Kryetarët e komunave, në lidhje me këtë çështje u dakorduan me këto konkluzione:

1. Kryetarët e Komunave nuk janë kundër Kontratës Kolektive.
2. Të gjendet zgjidhje urgjente në mënyrë që të mos preken buxhetet komunale si pasojë e vendimeve dhe marrëveshjeve të Ministrive pa konsultim me komunat.
3. Derisa nuk jemi palë nënshkruese si Komuna zgjidhja duhet të gjendet jashtë buxheteve komunale që po dëmton më së shumti investimet kapitale.
4. Obligimet që dalin nga kjo zbatimi i Kontratës Kolektive të mbulohen nga Ministritë që kanë nënshkruar këtë Kontratë.
5. Kryetarët e Komunave propozojnë edhe si ide që obligimet që dalin nga Kontrata Kolektive të inkorporohet me Ligjin e Pagave.
6. Tërheqja e mjeteve nga përmbaruesitë pa dëshirën e komunave po ndikon edhe në vlerësimet e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës për komunat në auditimin e pasqyrave financiare.