Kalimi eventual në të mësuarit online duhet të jetë zgjedhja e fundit
Lajme

Kalimi eventual në të mësuarit online duhet të jetë zgjedhja e fundit

Albana Bajrami

Tetë shkolla në Kosovë, kanë kaluar në mësimin online, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 tek nxënësit dhe mësimdhënësit. Zv/ministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, deklaroi për Radio Kosovën, se po bëhen përpjekje që shkollat të mbeten të hapura, pasi me skenarin C, siç tha ai, do të ketë humbje të mësimit.

Nga anketat e bëra, rreth 50 për qind e familjeve në Kosovë, kanë pajisje teknologjike për përfshirje të nxënësve në mësimin online.

Tetë shkolla në nivel të Kosovës, kanë kaluar në skenarin C, pra në mësimin online, për shkak se numri i rasteve me COVID-19 në këto shkolla është rritur. Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radio Kosovën se në disa shkolla të tjera, një numër i klasave ka kaluar në mësim online, deri sa shtoi se mësimdhënësit e infektuar po e organizojnë mësimin nga shtëpia.

“Rreth 46 për qind e rasteve aktive janë në Prishtinë, kështu që në Prishtinë e kemi numrin më të madh të të infektuarve, prandaj edhe në shkolla është numri më i madh i të infektuarve. Mbi 90 për qind e mësimdhënësve janë të vaksinuar, mirëpo tek nxënësit shkalla e vaksinimit nuk është e kënaqshme...”, tha Pupovci.

Zëvendësministri, Pupovci, theksoi se do të ketë humbje të mësimit për

shkak të kalimit në mësimin online, derisa theksoi se jo të gjithë nxënësit janë të pajisur me teknologjinë e duhur. Për këtë, ai tha se po bëhen përpjekje që shkollat të mbeten të hapura.

“Një anketë që është bërë, ka treguar se 53% e familjeve në Kosovë kanë kompjuterë. Kjo është edhe arsyeja që nuk e preferojmë kalimin në skenarin e mësimit online...”, tha Pupovci.

 

Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja tha se mësimi me prezencë të plotë në shkollë do të duhej të ishte prioritet institucional.

 

“Kalimi eventual në të mësuarit online do të duhej të ishte zgjedhja e fundit dhe atë specifike për secilën shkollës, veçmas sipas numrit të infektimeve. Mësimi nga distanca dhe ai online tashmë janë dëshmuar si jo shumë efikas andaj edhe i kuptueshëm insistimi i komunitetit të shkollës për mësim të plotë në shkolla”, tha Qehaja.

 

 

Nëse ndodhë që një numër i madh i shkollave në nivel vendi kalon në mësimin online për shkak të pandemisë, Ministria e Arsimit është e përgatitur për një gjë të tillë, ku nxënësit mund të ndjekin mësimet përmes platformës shkolla.org. Deri tani, në këtë platformë janë regjistruar 180 mijë nxënës nga 360 mijë sa jenë në sistemin e arsimit. Gjithashtu në transmetuesin publik RTK, që nga fillimi i vitit shkollor emetohen video-mësimet. Për humbjet mësimore, mund të ketë kompensime nga fundi i vitit shkollor.