Dyshime se po fshihen vaksinat me afat të skaduar
Lajme

Dyshime se po fshihen vaksinat me afat të skaduar

Në Komisionin për Shëndetësi po diskutohet për situatën me pandeminë, pas rritjes së numrit të rasteve të infektuar me variantin Omicron.

Kryetarja e komisionit, Fatmire Mulhaxha Kollçaku tha se nuk ka vend për shqetësim, megjithatë ajo ka propozuar që duhet të raportojë ministri i Shëndetësisë, drejtori i IKShPK-së dhe i ShSKUK-së.

"Mbi 700 raste brenda ditës në bazë të testimeve. Kryesisht është varianti Omicron por edhe me Delta. 90 pacientë që po trajtohen në ShSKUK, 52 të konfirmuar janë pozitivë. Nuk ka vend për shqetësim të madh. Desha të propozojë që të vlerësojmë së bashku dhe të ftojë drejtorin e ShSKUK-së dhe ministrin e Shëndetësisë", ka thënë ajo.

Megjithatë, anëtari opozitar Bekim Haxhiu tha se kjo situatë është brengë alarmante. Sipas tij, ka doza të tjera të vaksinave që u ka skaduar afati, për çka tha se po e mban të fshehtë Ministria e Shëndetësisë.

"Kjo është e papranueshme që institucionet shëndetësore me ra në ndikim politik që të prezantohet gjendja me pandeminë dhe të zvogëlohet numri i testimeve. Ne e dimë se si është situata. Masat nuk janë relevante në raport me situatën pandemike. Do të duhej të kishte një llogaridhënie, sa i përket imunizimit të qytetarëve dhe dështimit me vaksinim", ka deklaruar Haxhiu.

Ai madje ka propozuar që të vizitohet vendi ku po mbahen vaksinat.

Edhe deputeti Shemsedin Dreshaj deklaroi se situata me pandeminë nuk është e mirë.

"Kemi pasur rritje prej 3 deri në 15 për qind për dy javë. Katërfish rritje në popullatë, katër fish rritje në javë. Një situatë e tillë implikon domosdoshmërinë e kalimit prej fjalëve në vepra. Nuk janë duke u respektuar rregullat. Nuk është koha të ashpërsojmë masat, por të aplikojmë masat standarde. Janë katër paralele që 90 për qind janë të infektuar", ka deklaruar ai.

E, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj u shpreh se Qeveria Kurti ka hequr dorë në menaxhimin e kësaj pandemie.

"Pandemia nuk menaxhohet online. Ka tre muaj që nuk është diskutuar për menaxhimin e pandemisë. Këto nuk po i shohim, përndryshe do të hyjmë në pasojë të verës", ka thënë ai.

Pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i draft raportit të monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.