“Aroma e Hënës”, dramë provokative si grishje për ndërgjegjësim shoqëror
“Flakën e Janarit” po e mban ndezur tutje Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës”, përmes shfaqjeve që po vijnë në skenën e Teatrit të Qytetit në Gjilan.
Nata e dytë ishte e rezervuar për shfaqjen ‘Aroma e Hënës’ me autor Mehmet Kraja dhe regji të Rozi Kostanit, luajtur nga trupa e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Aroma e Hënës” është pjesa e fundit e trilogjisë “Hëna prej letre” e autorit Mehmet Kraja që
vlerësohet si një dramë provokative e ditëve tona, filozofike dhe surealiste e cila ngre teza të
fuqishme ekzistenciale, social-politike e politiko-mediale.

Drama e Krajës, regjia e Kostanit dhe loja e kastës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës
ka bërë që shfaqja të komunikojë me publikun e zjarrtë gjilanas, që kësaj here ishte me numër
të kufizuar, për shkak të masave anti-pandemi.
Përndryshe, ngjarja zhvillohet në redaksinë e një gazete në Kosovën e pasluftës. Përgjatë
rrjedhës së kësaj ngjarje, që vije përmes shfaqjes “Aroma e Hënës”, ngritën dilema dhe
pikëpyetje esenciale, për luftën, për paqen, për lirinë, shtetin, demokracinë, për shpresën, për
zhgënjimin... ngritën problematikat evidente në realitetin tonë, në shoqërinë tonë, në politikën
tonë, në mediumet tona..., në zhgënjimin e individit...
Shfaqja përshkruan realitetin tonë në të cilin po jetojmë edhe sot, por sidomos në dy dekadat e
fundit. Pra na rikujton përjetimet e luftës, por edhe çfarë po përjetojmë paslufte.
Pas një lufte vije paqja, vije liria e shumëpritur, por kjo liri a po i përmbush pritjet, a po i japim
kuptim lirisë, a e kemi harruar çmimin e paguar për të, gjakun e derdhur, apo po abuzohet me
të... Shumë pyetje, shumë dilema, shumë gjykime solli kjo shfaqje.
Drama arriti që ta përçojë mesazhin te publiku i pranishëm, një mesazh që na grish për
ndërgjegjësim shoqëror, që ne duhet të vetëdijesohemi e ndërgjegjësohemi lidhur me atë se ku
ishim, ku jemi, rrugën që e kemi kaluar më shumë se dy dekada pas çlirimit, por që në fakt jemi
çliruar nga armiku, por se kemi bërë dot çlirimin e brendshëm, çlirimin nga të këqijat tona që na
mbajnë peng e që janë përbrenda nesh, që dëshmohen me realitetin tonë aktual...
Referuar subjektit të shfaqjes, autori Kraja na përballi me pikëpyetje ekzistenciale të së
shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes, (e cila nuk ka ardhur ende por me gjasë do t’i ndryshojë
disa gjëra),duke i ballafaquar personazhet në raporte sa sociale aq edhe filozofike. Perceptimi i
të shkuarës shpresëmadhe luftës, dhe pas lufte… kush jemi ne…, ku jemi… a ka ardhur liria…,
demokracia në këtë vend çfarë është, dhe në fund, a jemi të lumtur?! Apo, Liria është një
shpikje e pamundur! Kjo përçapje për të kuptuar këtë kaos shpirtëror e mendor i zhvillon
karakteret drejt një konflikti dramatik të përshkallëzuar dhe duke mos gjetur rrugëdalje ata
shkojnë drejt fatalitetit.
Në shfaqje luajtën: Ismet Azemi, Armend Baloku, Donikë Ahmeti, Shpëtim Kastrati, Xhejlane
Godanci, Veton Osmani, Naim Berisha, Adhurim Demi, Basri Lushtaku, Butrint Lumi dhe
Ramadan Malaj.























