Brnabiq: Kurti votoi në Shqipëri,edhe serbëve t’u lejohet votimi në Kosovë
BKT
Lajme

Brnabiq: Kurti votoi në Shqipëri,edhe serbëve t’u lejohet votimi në Kosovë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq në një intervistë për RTS, ka folur për takimet dhe diskutimet që ka pasur gjatë qëndrimit në Bruksel.

Brnabiq ka thënë se ka ngritur temën e vendimit të Republikës së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë.

“Ne kemi folur më së shumti rreth asaj se si të drejtat elementare janë mohuar për serbët në Kosovë, e që më së miri u pa më 16 janar, kur atyre iu ndalua pjesëmarrja në referendum dhe votimi, gjë që është një precedent i tmerrshëm”, ka thënë Brnabiq.

Kryeministrja serbe tutje ka thënë se kur bëhet fjalë për zgjedhjet e prillit, ka marrë zotimin e BE-së se do të angazhohen sa të munden, që të mos përsëritet ajo çfarë ndodhi me referendumin.

Ajo tutje ka thënë se serbët e Kosovës duhet të lejohen që të votojnë në zgjedhjet e Serbisë, derisa përmend faktin se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në zgjedhjet e Shqipërisë.

“Një gjë e tillë nuk duhet të lejohet. Nuk duhet lejuar që serbëve t’iu mohohen të drejtat bazike për pjesëmarrje në zgjedhjet që Serbia do t’i mbajë”, ka thënë Brnabiq.


MË SHUME NGA Lajme