Molliqaj: Ka pasur tentativë për t’i dhënë kahje të gabuar krizës
BKT
Lajme

Molliqaj: Ka pasur tentativë për t’i dhënë kahje të gabuar krizës

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se ka pasur tentativë të qartë nga pushteti për t’i dhënë kahje të gabuar krizës së energjisë elektrike.

Ai përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se protesta e 29 janarit i dërgoi Qeverisë mesazh të qartë se, rritja e propozuar e çmimit të rrymës është e padrejtë dhe e papranueshme.

“Ka pasur tentativë të qartë nga pushteti për t'i dhënë kahje të gabuar krizës së energjisë elektrike. Nëpërmjet mashtrimeve e manipulimeve me shifra, ata u vendosën në shërbim të KEDS-it; fillimisht duke pretenduar që vetëm një pakicë do të preken nga rritja e çmimit të rrymës e që tashmë e kuptuam nga konsumi përgjatë këtyre muajve që shumica dërrmuese e qytetarëve do të preken nga kjo rritje, tek borxhet milionshe tw KESCO ndaj KEK-ut e në të njëjtën kohë shitja e saj me fitim tek qytetarët e deri te subvencionimi i drejtpërdrejt i KEDS-it nga buxheti i Kosovës për t’ja ruajtur fitimin e mbuluar humbjet.

Sot është afati i fundit ku ZRrE pranon komente dhe merr vendimin e saj.  Çdo vendim që në dukje është ndryshe por që del të jetë kozmetik e aspak përmbajtësor nuk është i pranueshëm. Kriza energjitike duhet të ketë trajtim tjetër e që nuk është mbi kurrizin e qytetarëve të Kosovës e për profitin e pastër të KEDS-it.

Në aktivitetet tona i bëjmë thirrje çdo qytetari e aktivisti dhe çdo partie opozitare, brenda dhe jashtë parlamentit,  që të na bashkangjitet e së bashku të ndalim këtë shfrytëzim që po iu ndodh qytetarëve të Kosovës.

Protesta e 29 janarit i dërgoi qeverisë mesazh të qartë; rritja e propozuar e çmimit të rrymës është e padrejtë dhe e papranueshme. Ajo prek shumicën e qytetarëve dhe i dëmton ata për të mbrojtur KEDS-in. Aleancës në mes të pushtetit dhe kompanisë KEDS i përgjigjemi me aksione, takime, tubime, peticion e protestë.”, ka theksuar Molliqaj.


MË SHUME NGA Lajme