Anulohet seanca e sotme në rastin e Salih Mustafës, vazhdohet më 17 shkurt
Seanca e paraparë të mbahet të enjten në gjykimin ndaj Salih Mustafës është anuluar.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të ZPS-së, gjykimi ndaj Mustafës përfundoi për këtë javë. Seanca e ardhshme është caktuar për datën 17 shkurt kur do të mbahen konferenca përgatitore për mbrojtjen dhe konferenca përgatitore mbi pjesëmarrjen e viktimave”, thuhet në këtë njoftim.
Të hënën dhe të martën, është dëgjuar dëshmitari i fundit i thirrur nga prokuroria në këtë rast, Fatmir Humolli, i cili ka dëshmuar pa masa mbrojtëse.
Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.