Në mars dhënia e deklaratave përmbyllëse në rastin e Gucatit e Haradinajt
Trupi gjykues i kryesuar nga Charles L Smith II, ka caktuar periudhën nga 14 deri 18 mars të këtij viti për dhënien e deklaratave përmbyllëse në gjykimin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Gucati e Haradinaj po akuzohen për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Njoftimi për këtë vendim të gjykatës është bërë i ditur në faqen zyrtare raporton “Betimi për Drejtësi”
“Sot, Trupi Gjykues II i dha fund paraqitjes së provave në çështjen Gucati dhe Haradinaj, i urdhëroi palët të dorëzojnë dosjes e tyre gjyqësore përfundimtare deri më 3 mars dhe caktoi periudhën nga 14 deri më 18 mars 2022 për dhënien e deklaratave përmbyllëse”, thotë njoftimi.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.