Prokuroria nis hetimet për rastin e eksplodimit të veturës në Ferizaj
Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se ka nisur hetime lidhur me rastin e eksplodimit të një vetura para një pompe derivatesh në Ferizaj, ku si pasojë u djegë personi që ishte brenda në veturë dhe u lëndua punëtorja e marketit të pompës.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria ka bërë me dije se vetura e djegur është dërguar në Stacionin e Policisë për ekzaminim dhe procedura të mëtejshme hetimore.
“Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, janë njoftuar të gjitha njësitë relevante të cilat dje kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe vetura e djegur është dërguar në Stacionin e Policisë për ekzaminim dhe procedura të mëtejshme hetimore.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju njofton se do të vazhdoj hetimet në mënyrë intensive lidhur me këtë rast, deri në identifikimin dhe zbardhjen e plotë të tij”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, një veturë me targa vendore ka eksploduar mbrëmë te një pompë e derivate në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, ku si pasojë e shpërthimit është djegur edhe personi që gjendej brenda veturës.
Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh. Me urdhër të prokurorit, trupi i karbonizuar është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Komunikata e plotë e Prokurorisë:
Ferizaj, 08 Shkurt 2022– Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Ferizajt- Sektorin e Hetimeve Rajonale, në mënyrë intensive janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, lidhur me zbardhjen e rastit të shpërthimit të veturës në pompën e derivateve “Eida Patroni” në rrugën magjistrale Ferizaj- Prishtinë.
Si pasojë e këtij shpërthimi të veturës, një person ka ndërruar jetë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa, lëndime trupore ka pësuar punëtorja e marketit të pompës dhe e njëjta është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, janë njoftuar të gjitha njësitë relevante të cilat dje kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe vetura e djegur është dërguar në Stacionin e Policisë për ekzaminim dhe procedura të mëtejshme hetimore.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju njofton se do të vazhdoj hetimet në mënyrë intensive lidhur me këtë rast, deri në identifikimin dhe zbardhjen e plotë të tij. /RTKlive























