Nuk ka kuorum, dështon të mbahet seanca e re e Kuvendit
BKT
Lajme

Nuk ka kuorum, dështon të mbahet seanca e re e Kuvendit

Në mungesë kuorumit ka dështuar të mbahet seanca e re plenare e Kuvendit të Kosovës, pasi në sallë ishin vetëm 57 deputetë.

Pas pauzës të seancës së paradites, e cila zgjati më shumë se një orë, shumë deputetë nuk u rikthyen fare në sallën plenare të Kuvendit. Ndërsa, deputetët e dy partive opozitare, PDK dhe LDK e bojkotuan Kuvendin edhe pasdite.

Rrjedhimisht, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca bëri të ditur se seanca e njëjtë do të vazhdojë nesër në orën 11:00.

 “Konsideroj se nuk ka kushte për sot që të mbahet kjo seancë, shihemi nesër në orën 11:00 për ta vazhduar”, tha ai.

Në rend të ditës për seancën e sotme ishin disa projektligje dhe debati parlamentar për Raportin e Progresit për vitin 2021.

Ndërkaq rendi i ditës për seancën e nesërme është ky:

Rendi i ditës

1.  Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2.  Pyetjet parlamentare,
3.  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit ne.08/L-035 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-017 për ndihmën Juridike Falas,
4.  Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-118,
5.  Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, 
6.  Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb,
7.  Raportimi i Qeverisë së Kosovës në Kuvend rreth “Progresit në përfshirjen e objektivave të zhvillimit të Qëndrueshëm në legjislacion, politika dhe buxhet”,
8.  Debat parlamentar lidhur me Raportin për Vendin për vitin 2021,
9.  Zëvendësimi i anëtarit të GP LS në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e komuniteteve dhe Kthim.​


MË SHUME NGA Lajme