Osmani për “Times Radio”: NATO të ketë rol më aktiv ndaj krizës në Ukrainë
BKT
Lajme

Osmani për “Times Radio”: NATO të ketë rol më aktiv ndaj krizës në Ukrainë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për radion britanike “Times Radio” ka shprehur shqetësimin e institucioneve dhe popullit të Kosovës për ngjarjet që po zhvillohen në Ukrainë.

Osmani shprehu mbështetjen për popullin ukrainas si dhe mbështetjen e plotë për integritetin territorial dhe sovranitetin e këtij vendi.

“Normalisht, ashtu si pjesa tjetër e botës demokratike, edhe ne jemi thellësisht të shqetësuar për ngjarjet që po zhvillohen në Ukrainë. Së pari dëshiroj të shpreh mbështetjen dhe solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës, si dhe mbështetjen e plotë për sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi. Ne besojmë fuqishëm se ajo që po ndodh është një abuzim flagrant i pushtetit dhe një shkelje e të drejtës dhe praktikave ndërkombëtare nga Rusia”, ka theksuar presidentja Osmani.

Ajo ka thënë se kjo po ndodh si në mënyrën fizike për sa i përket mobilizimit ushtarak rreth kufirit, ashtu edhe në mënyrë digjitale, me një përhapje sistematike të dezinformatave.

“E vërteta është se Ukraina është një vend i lirë, i pavarur dhe i takon popullit të lirë dhe demokratik të Ukrainës që të marrë vendime për të ardhmen e tyre, nëse janë të lidhura me Ukrainën apo nëse kanë të bëjnë me sigurinë apo çështje të tjera. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se këto ngjarje në fakt nuk kanë të bëjnë vetëm me Ukrainën, por ato kanë të bëjnë me llojin e botës në të cilën duam të jetojmë dhe me llojin e demokracive që duam të ndërtojmë dhe llojin e luftës që duam të luftojmë kundër autokracive”, ka thënë tutje presidentja Osmani.

Sipas saj nëse lejojmë një fqinj, që ka thjesht një ushtri shumë më të madhe dhe më të fortë që ndërtohet rreth kufirit të vendit tuaj, të vendosë për të ardhmen tuaj, sepse është agresiv e autokratik, dhe nëse lejojmë të dominojë politika e të lëshuarit pe ndaj këtyre lloj politikave dhe agresioneve, atëherë kjo krijon efekte përhapëse për pjesën tjetër të botës, ku autokratët përmes përdorimit të forcës, qoftë fizike apo digjitale, mund të vendosin për të ardhmen e popujve tjerë sovran.

“E kjo gjë nuk duhet të jetë kështu. Kjo e bënë krizën të jetë shumë më e madhe se sa thjesht një krizë në Ukrainë. Është një sfidë e drejtpërdrejtë dhe shkelje flagrante ndaj lirive tona demokratike dhe ndaj vlerave që ndajmë dhe përpiqemi t'i promovojmë”, ka nënvizuar Osmani.

Presidentja Osmani ka kërkuar një rol më aktiv të NATO-s dhe një përgjigje të unifikuar të Perëndimit ndaj tendencave të Rusisë për të destabilizuar botën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Teksa bota është e fokusuar në ngjarjet në Ukrainë, kryeministri britanik Boris Johnson me të drejtë vuri në dukje se duhet ta pranojmë mënyrën se si Rusia përpiqet në mënyrë aktive t'i destabilizojë rajonet e tjera në botë, e veçmas në Ballkanin Perëndimor, përmes Serbisë si satelite e saj. Serbia është plotësisht e mbështetur dhe e koordinuar me aleatin e saj Rusinë. Ne jemi të shqetësuar për bashkërendimin e tyre të mundshëm si rezultat i ngjarjeve në Ukrainë. Prandaj, mënyra se si do të zhvillohen ngjarjet në Ukrainë, vërtetë mund të ketë një efekt përhapës në shumë pjesë të tjera të botës. Nuk është rastësi që ne po shohim sfida për stabilitetin në Bosnjë e Hercegovinë, në Malin e Zi dhe në Kosovë nga qasja agresive dhe përpjekjet destabilizuese të Serbisë të ndihmuara nga Rusia. Pra, kjo është e gjitha një përpjekje e përbashkët e të dyjave”, është shprehur Osmani.

Më tej presidentja ka thënë se është e qartë se një gjë e tillë e ka sfiduar mënyrën tonë demokratike të jetesës. “Kjo është duke  rrezikuar gjithashtu edhe nivelin e demokracisë që vendet demokratike kanë ndërtuar për dekada të tëra, prandaj mendoj se përgjigja duhet të jetë e unifikuar, ndaj NATO-ja duhet ta ketë një rol shumë aktiv. Ne shpresojmë që së shpejti të gjendet një zgjidhje për të ndaluar abuzimin flagrant të pushtetit nga Rusia, e cila po përpiqet t'i vendosë rregullat e veta kundrejt vendeve të tjera sovrane. Ky do të ishte një precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm për t'u lejuar”, ka nënvizuar Osmani.

Ajo tutje ka vënë në pah aktivitetet e Rusisë në koordinim me Serbinë për ta destabilizuar Kosovën. “Rusia në përgjithësi po e përdorë Serbinë si satelit të saj përmes bashkëpunimit ushtarak, stërvitjeve ushtarake, donacioneve ushtarake, bashkëpunimit ekonomik dhe thjesht duke shtyrë përpara mënyrën e të menduarit dhe veprimit rus, e cila ka destabilizuar vendet e tjera në rajon, të cilat janë duke u përpjekur të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ata janë duke u përpjekur t'i shkatërrojnë vlerat perëndimore të ndërtuara në këtë rajon me kaq shumë investime, sakrifica dhe punë dhe në të njëjtën kohë duke mbështetur përpjekjet e Serbisë, si p.sh me rastin e tensioneve në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në shtator dhe tetor të vitit të kaluar, teksa Serbia kishte vendosur ushtrinë e saj përreth kufirit me Kosovën, e ku paralelisht i solli edhe MIG-ët rus dhe lloje tjera të armëve ruse e kineze”, ka thënë Osmani. 


MË SHUME NGA Lajme