Pushtimi i Ukrainës - A merr fund këtu regjimi i Vladimir Putin?
BKT
Lajme

Pushtimi i Ukrainës - A merr fund këtu regjimi i Vladimir Putin?

Në edicionin e sontëm të emisionit “RTK Prime”, temë e diskutimit ishte “Pushtimi i Ukrainës - pasojat për Evropën dhe rajonin”.

Të ftuar në panel me gazetaren Fitore Rexhepi Dresha ishin: Gjeneral Kadri Kastrati, Valon Murtezaj, ish-zëvendës-ministër i jashtëm dhe profesor, Haki Abazi, deputet, Artan Muhaxhiri, analist dhe gazetarja e lajmeve botërore në RTK, Flutura Bekqeli Qena. 

Në lidhje me temë, Gjeneral Kadri Kastrati tha se qysh në mëngjes u pa që Rusia kishte filluar ofenzivën e saj në Ukrainë.

“Një nga fazat e para që kemi ne ushtarakët e quajmë është shkatërrimi i objekteve strategjike, si depot e municioneve, bazat usharake, aeroportet. Pastaj, mbetet faza e dytë e pushtimit, kur forcat ushtarake ruse hyjne me këmbësori në Kiev”, tha Kastrati. 

Sipas Kastratit, me këto hapa të forcave ruse, Ukraina mund të kapitullojë shumë shpejt. Por, gjithsesi edhe Kosova duhet të jetë e kujdesshme se, Rusia ka për qëllim destabilizimin e Ballkanit. 

Ndërsa, Valon Murtezaj përmes lidhjes me Skype, tha se deri ku mund të shkojë Putin, është pyetja më hamendëse e botës sot.

“Përfundimisht, ai do të shkojë drejt fundit të tij, por nuk dihet sa shpejt e sa gjatë do të zgjasë kjo luftë ose agresion. Megjihatë një gjë është e sigurtë, që ky do të jetë fundi i Putinit dhe regjimit të tij”, tha Murtezaj.

Ai shtoi se gjatë javëve të fundit, bota ka pasur dy opcione në tavolinë me Rusinë, që të zgjedhin rrugën diplomatike për zgjidhjen e situatës midis liderëve të fuqive botërore. Opcioni i dytë, është ai sot pushtimi në zonë të gjerë, i paprovokuar në Ukrainë. 

Edhe Artan Muhaxhiri, thotë se Putini nuk mund t’i përballojë gjithë reagimit evropian dhe botëror. 

“Putin pas këtij hapi nuk mund t’i përballojë reagimeve dhe sanksioneve nga Evropa dhe bota”, tha ai. 

Po ashtu, edhe deputeti Haki Abazi, këtë lëvizje të Rusisë e sheh me synim drejt pushtimit të tërë të saj, madje brenda orësh. 

Emisionin e plotë mund ta ndiqni më poshtë:

 


MË SHUME NGA Lajme