Osmani takon Wieland: Kosova është në krah të Ukrainës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim zëvendës presidentin e Parlamentit Evropian Rainer Wieland, për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në rajonin.
Sipas saj, e ardhmja e sigurt e rajonit është e mundshme me anëtarësimin e Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO.
Siç bëhet e ditur nga Presidenca, në takim është biseduar edhe për situatën aktuale të krijuar pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Osmani ka theksuar se Kosova është në anën e Ukrainës dhe popullit të saj, duke konsideruar të drejtën e patjetërsueshme të saj për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet territorial.
Gjatë takimit, presidentja ka përsëritur se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizash, ndaj në këtë kontekst ka kërkuar që BE-ja ta mbajë premtimin ndaj kosovarëve.























