Kurti në Samitin për Investime theksoi potencialin për investime në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin e pestë për Investime në Ballkanin Perëndimor, organizuar në Londër nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ai me këtë rast tha se Qeveria e Kosovës në mënyrë proaktive, do të përpiqet të ketë bashkëpunim me vendet fqinje, duke respektuar parimet demokratike të respektit të dyanshëm, të vendosura me rastin e themelimit dhe zhvillimit të Bashkimit Evropian.
“Ne duam të kemi sa më shumë bashkëpunim rajonal ku vlerat e BE-së janë gjithmonë të ndërlidhura me fondet e BE-së, dhe në këtë mënyrë, kjo lidhshmëri, qoftë në aspektin e punës, energjisë apo infrastrukturës do të na ndihmojë, duke u bërë valë që shtyn të gjithë drejt integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri Kurti në hapje të samitit.
Stabiliteti politik, rritja ekonomike, fuqia punëtore e talentuar dhe e re e Republikës së Kosovës, si dhe mundësitë për më shumë investime në Kosovë, u theksuan nga kryeministri Kurti në sesionin e përbashkët me pesë udhëheqësit e qeverive nga Ballkani Perëndimor.
“Ne e shohim tregun e punës si diçka të rëndësisë së lartë në aspektin makro-ekonomik dhe planifikimin për të ardhmen. Mendojmë se liberalizimi i tregut të punës ndodhë vetëm kur ka zotim të vërtetë të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti, duke shtuar se Kosova dhe Shqipëria kanë arritur shumë, si rezultat i gatishmërisë së të dyja vendeve.
“Jemi duke ecur në drejtim të njëjtë me Shqipërinë me themelimin e tregut të përbashkët të energjisë i cili pritet që të funksionalizohet këtë vit dhe presim që të integrojmë më mirë kapacitetet e gjenerimit gjithashtu”, u shpreh Kurti.
Duke folur për interkonektivitetin e infrastrukturës, kryeministri bëri të ditur se Qeveria e Kosovës ka siguruar financimin e pothuajse të gjitha autoudhëve dhe hekurudhave të mëdha të cilat gjenden në Rrjetin trans-evropian të transportit.
“Jemi të vendosur në ndërtimin e pikë kalimeve kufitare të cilat kanë infrastrukturë cilësore dhe të cilat reduktojnë kohën dhe koston e udhëtimit për njerëzit dhe mallrat. Megjithatë, për të pasur integrim të plotë të rajonit ne mendojmë se duhen shtuar dy akse, njëra mes Prizrenit në Kosovë dhe Tetovës në Maqedoninë e Veriut, dhe tjetra është hekurudha ndërmjet Prishtinës dhe Durrësit në Shqipëri”, tha Kurti.
Duke folur për Agjendën e gjelbër, kryeministri Kurti tha se janë duke hartuar politikën energjetike 2022-2030 për Kosovën, ndërsa veçoi punën që po bën qeveria në procesin e digjitalizimit në Kosovë, me synim të trefishtë: përmirësimin e llogaridhënies, transparencës dhe cilësisë së shërbimeve.
Po ashtu, theksoi potencialin për zhvillim të mëtejmë të turizmit malor, si malet e Sharrit dhe malet e Rugovës.
Kryeministri Kurti shprehu solidaritetin dhe admirimin e tij për popullin e Ukrainës, presidentin Volodomyr Zelensky, për guximin dhe luftën e tyre çlirimtare kundër invazionit dhe agresionit ushtarak rus.
Ndryshe, Samiti për Investime në Ballkanin Perëndimor ka për qëllim të nxjerrë në pah mundësitë për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare.























