Kurtishi: Sanksionet ndaj Rusisë po japin efekte, por nuk e ndalin luftën
BKT
Lajme

Kurtishi: Sanksionet ndaj Rusisë po japin efekte, por nuk e ndalin luftën

Ekonomisti i politikave publike, Sharr Kurtishi, në një intervistë për RTK-në ka deklaruar se sanksionet ndaj Rusisë pas invazionit në Ukrainë kanë filluar të kenë efekte, por se nuk mund të pritet që këto sanksione të japin rezultate edhe në ndalimin e luftës.

“Kjo nuk është hera e parë që Rusia përballet me sanksione, pasi të tilla ka përjetuar edhe në vitin 1979 pas sulmit në Afganistan dhe në vitin 2014 pas sulmit që i është bërë Krimesë në vitin 2014. Sidoqoftë, këto sanksione dallojnë për nga niveli i ashpërisë sepse është hera e parë që administrata Biden ka marrë një mori sanksionesh, fillimisht me dy rajonet Donbas, ku u ndalua shkëmbimi tregtar dhe më pas me disa banka dhe se fundmi u mor vendimi që të sanksionohet edhe SWIFT-i. Po ashtu vlen të theksohet se për herë të parë Zvicra ka marrë një vendim unik, ku gjithashtu i sanksionon të gjitha asetet që kanë të bëjnë me manjatët rus”, ka theksuar Kurtishi për RTK-në.

Ndonëse sanksionet kanë filluar të japin efekte, Kurtishi mendon se ato nuk mund të ndikojnë në ndalimin e shpejtë të agresionit rus mbi Ukrainë.

“Duhet t’i ndajmë efektet prej rezultateve. Rubla ruse ka rënë menjëherë. Sot berza e Moskës nuk funksionon , ndërsa aksionet ose letrat me vlerë të kompanive kryesore në Rusi kanë rënë në mënyrë drastike. Mirëpo, këto efekte nuk japin rezultate të mënjëhershme që me ndal Rusinë në pushtimin e mëtutjeshëm të Ukrainës. Sidoqoftë, parashihet që në pjesën e dytë të vitit ekonomia ruse të bie deri 20 përqind. Inflacioni tashmë ka filluar të ndodhë dhe ka mungesë të parasë kesh. Njerëzit kanë filluar të bëjnë radhë të gjata për t’i tërehqur paratë“, ka nënvizuar Kurtishi.

Ai ka folur edhe për atë se sa do të ndikojnë këto sanksione dhe zhvillimet e përgjithshme në Ukrainë në vendin tonë.

“Konsumi i gjërave të përditshme do të mund të ketë inflacion. Mund të ketërritje në çmimet e konsumit të përditshëm si: mielli, buka e vaji, por jo domosdoshmërisht sepse këta artikuj mund të zëvendësohen nga shtetet tjera, meqenëse ne jemi shtet importues. Sidoqoftë, si institucione të shtetit kemi edhe anën pozitive sepse do të mund të shikohen politikat e anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe NATO-n, ngase këto nuk janë situata që ndodhin shpesh”, është shprehur Kurtishi.


MË SHUME NGA Lajme