Ekspertja e ekonomisë: Popullata duhet të shtrëngohet për rritje të çmimeve
Kosova javët e fundit është përballur me rritjen e çmimeve të derivateve dhe disa produkteve ushqimore.
Ekspertja e ekonomisë, Albulenë Kastrati, për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) thotë se zhvillimet ndërkombëtare si pasojë e krizës politike pashmangshëm kanë shkaktuar rritjen e çmimeve në Kosovë. Sipas saj, efektet e para të kësaj krize janë vërejtur tek derivatet dhe tek artikujt ushqimor.
Ajo theksoi se pritjet janë që në përgjithësi çmimet do të rriten dhe popullata jonë duhet të shtrëngohet edhe për një valë të re të rritjes së çmimeve.
“Ne jemi ekonomi e vogël dhe jemi ekonomi e hapur sidomos në aspektin e tregtisë, prandaj efektet e para dhe më të theksuara në ekonominë tonë pritet të shprehen përmes sektorit të jashtëm, përmes eksporteve, përmes importit, pëmes investimeve dhe përmes remitencave. Efekti i parë dhe më i shpejtë që kemi parë prej zhvillimeve ndërkombëtare, prej krizës politike është tek importi, përkatësisht tek rritja e çmimeve. Menjëherë në ditën e dytë kemi vërejtur rritje të çmimeve të naftës dhe kjo ka ndikuar që furrtarët e kanë rritur për pesë apo dhjetë cent çmimin e bukës. Po ashtu, pritet të rritet edhe çmimi i vajit edhe çmimi i metaleve. Kështu, që pritjet janë që në përgjithësi çmimet do të rriten dhe popullata jonë duhet të shtrëngohet edhe për një valë të re të rritjes së çmimeve", ka theksuar Kastrati.
Sa i përket ndikimit në investime, ajo theksoi se Kosova edhe ashtu i ka investimet e vogla. "Struktura e investimeve është jo e kënaqshme për shkak se 80% prej tyre janë investime në banesa, në patundshmëri”, tha ajo.
Sa i përket remitencave, sipas Kastratit ka gjasa që ato të ulen sepse rritja e çmimeve në Evropë do të ndikoj që mërgimtarët të kenë më pak mjete financiare për të dërguar në Kosovë.























