Kurti: Barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin e Ditës së Gruas, 8 Marsin, mori pjesë në ngjarjen me temë “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”.
Në këtë ngjarje e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Kurti u shpreh i nderuar që në këtë ditë të veçantë të bashkëbisedohet për zhbërjen e paragjykimeve dhe punën për gjithëpërfshirje.
“Barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore”, tha kryeministri.
“Gratë e bëjnë aktivizmin e dyfishtë: merren me politikat e përgjithshme, por gjithsesi edhe me çështjet gjinore. Gratë nuk punojnë vetëm për gratë, por ato punojnë po ashtu edhe për gratë, sidomos për gratë. Duhet t’i aktivizojmë gratë e shkolluara e duhet t’i shkollojmë sa më lartë gratë aktive”, theksoi kryeministri në fjalën e tij.
Kurti foli në këtë rast për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë në këtë vit akademik, për të cilat tha se janë ndarë 1365 bursa për vajzat në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës.
Me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, kreu i Qeverisë, shtoi se kanë zbatuar masa aktive për punësimin e grave, nga të cilat kanë përfituar mbi 3000 gra dhe vajza.
Kryeministri Kurti bëri të ditur se vitin 2022 e kanë filluar me miratimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave.
“Një shoqëri ku të gjithë janë të sigurtë dhe të barabartë, jetojnë pa frikën apo kërcënimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ku qëllim është të parandalohet dhe mos tolerohet dhuna, të mbrohet, riintegrohet dhe fuqizohet viktima, si dhe të vendoset kryerësi para përgjegjësisë”, tha Kryeministri./S.K/RTKlive























