Konjufca dhe Hakkerup bisedojnë për marrëveshjen për burgjet
BKT
Lajme

Konjufca dhe Hakkerup bisedojnë për marrëveshjen për burgjet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës , Glauk Konjufca ka pritur të enjten në takim ministrin e Drejtësisë së Danimarkës, Nick Hakkerup. Në takim u nënvizua nevoja që marrëveshja me Danimarkën për dhënien me qira të burgjeve të Kosovës të miratohet edhe në Kuvend.

“Me theks të veçantë u nënvizua nevoja e miratimit në Kuvend të marrëveshjes ndërkombëtare dypalëshe për dhënien në shfrytëzim të qelive për të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës, marrëveshje kjo e cilësuar si një gurthemel për bashkëpunimet e radhës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryetarit të Kuvendit.

Në takim, u diskutua edhe situata e sigurisë në rajon pas agresionit rus në Ukrainë, si dhe thellimi i bashkëpunimit dhe partneritetit në fusha me interes të përbashkët mes Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës.

 “Kryetari Konjufca, me këtë rast, shprehu mirënjohje për mbështetjen që Mbretëria e Danimarkës ka dhënë për çlirimin, zhvillimin, shtetndërtimin dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës. Ai theksoi se Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë ndërtuar marrëdhënie shumë të mira partneriteti dhe shprehu besimin se mbështetja e shtetit danez ndaj vendit tonë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Nga ana e tij, ministri Hækkerup konfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Danimarkës për përkrahjen e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme zhvillimore, si dhe në rrugën evropiane dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë se në dhjetor të viti të  kaluar ministrja e Drejtësisë eKosovës, Albulena Haxhiu dhe homologu i saj danez, Nick Hakkerup kanë nënshkruar marrëveshjen e për dhënie me qira të burgjeve. Sipas kësaj marrëveshjeje 300 qeli burgu të Kosovës i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës.

Kosova në 10 vitet e ardhshme duke i lëshuar 300 qeli burgu me qira shtetit të Danimarkës, pritet të përfitojë një shumë prej 210 milionë eurosh.


MË SHUME NGA Lajme