Gërxhaliu: Po bëhet luftë spekulative tregtare për ngritjen e çmimeve
BKT
Lajme

Gërxhaliu: Po bëhet luftë spekulative tregtare për ngritjen e çmimeve

Ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, duke komentuar rritjen masive të çmimeve në vend si pasojë e krizës globale, ka thënë se brenga më e madhe është që të gjitha këto trende të rritjeve së çmimeve po analizohen vetëm në aspektin ekonomik e social, por jo edhe në aspektin emocional.

"Sot nuk është e lehtë  të jesh qytetar i Kosovës dhe t'i dëgjosh të gjitha këto informacione që sillen qoftë në rrjete sociale, qoftë në medie. E vërteta është që bota është në një krizë dhe Kosova nuk mund të jetë e anashkaluar nga afektet e kësaj krize", ka theksuar Gërxhaliu në RTK.

Ai ka thënë se në një mënyrë apo tjetrën kriza globale ndikon në ngritjen e çmimeve të produkteve strategjike dhe kur kemi ngritje të tyre ato manifestohen drejtëpërdrejtë edhe në produktet tjera.

"Vetë fakti që Kosova është një shoqëri e varur nga importi dhe në vitin 2021 ne kemi pasur një vlerë të importit prej 4 miliardë e 700 milionë euro është zhgënjimi më i madh. Kur  krejt kësaj i shtohet që kemi importuar në inflacion me 7,1% në janar të vitit 2022, me të vërtetë është një rrethanë e cila duhet të na brengosë. Besoj se është koha kur duhet të kemi dialog të mirëfillt publiko-privat. Është koha kur duhet të kemi një optimizëm në komunikim me qytetarët. Tani kemi të bëjmë me një luftë spekulative tregtare", ka shtuar Gërxhaliu.

Sipas tij te qytetarët është krijuar një panik sepse mallra ka mjaftueshëm, derisa ai mendon se  dikush nga kabineti qeveritar këto ditë është dashur të jetë në vendet e rajonit që të avancohet një dialog i mirëfilltë se si të dilet nga një situatë e tillë.

Gërxhaliu mendon se duhet të kontrollohen të gjitha udhëzimet administrative të cilat krijojnë monopole në Kosovë dhe e pamundësojnë importin e produkteve esenciale./P.Gashi/

 


MË SHUME NGA Lajme