Al-Khelaifi tentoi të futej me forcë në dhomën e gjyqtarëve
Presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi u përpoq të futej në dhomën e zhveshjeve të gjyqtarëve dhe theu pajisjet, pasi skuadra e tij u eliminua nga Liga e Kampionëve nga Real Madridi, sipas raportit të gjyqtarit kryesor.
Reali përmbysi rezultatin në duelin e mbrëmshëm me hat-trickun e Karim Benzemas në pjesën e dytë që vulosi një fitore të përgjithshme 3-2 për madrilenët.
Ishte goli i parë i Benzemas që zemëroi parisienët, pasi ata mendojnë se sulmuesi francez shkaktoi një faull ndaj portierit Gianluigi Donnarumma.
Shpërthimi i Al-Khelaifit u dokumentua në raportin e gjyqtarit, ku thuhet se: “Ai u soll në mënyrë agresive dhe u përpoq të hynte në dhomën e zhveshjes së gjyqtarëve. Ndërkohë, kur ata i kërkuan të largoheje, presidenti goditi një pjesë të pajisjes së gjyqtarit ndihmës, duke e thyer atë".
Sipas gazetës spanjolle ‘Marca’, sjellja e Al-Khelaifi u xhirua me telefon nga një punonjës i Real Madridit, i cili ka të ngjarë t’i dërgojë pamjet në UEFA që do të shërbenin për ndonjë ndëshkim./RTKlive/























