Kurti: Jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj Gjermanisë
BKT
Lajme

Kurti: Jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj Gjermanisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për medie, pas takimit që mbajtën së bashku. Me këtë rast kryeministri Kurti, ka kërkuar nga kryediplomatja gjermane që ta ndihmojë Kosovën në proceset integruese.

Pasi, siç tha kreu i Qeverisë, Kosova është partner me shtetin gjerman.

“E sigurova ministren Baerbock se Kosova është partnere e qëndrueshme dhe se këtë e kemi dëshmuar me pritjen e refugjatëve afganë, me krizën në Ukrainë dhe me sanksionet ndaj Rusisë. Jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj Gjermanisë dhe tani na përkrah me projekte të shumta. Mbi gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës jetojnë në Gjermani. E sigurova që Kosova është partner me shtetin gjerman dhe jemi bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Kemi shprehur gatishmërinë për 20 gazetar ukrainas. E kam informuar për punën e qeverisë në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Kurti.

Kryeministri tha se ministren gjermane që do të qëndrojë në Kosovë edhe të premten, e ka njoftuar për punët që ka bërë Qeveria dhe ato që do të bëjë dhe ka kërkuar përkrahjen e Gjermanisë dhe të BE-së.

“Bashkëpunimi ynë dypalësh është duke u intensifikuar, eksporti në Gjermani është rritur, por edhe investimet direkte gjermane në Kosovë. Kam kërkuar mbështetje për reformat tona, në punësim dhe drejtësi. Kosova duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së, në infrastrukturë, energji e të tjera. Gjermania mund të ndihmojë më shumë në këtë drejtim”, ka thënë Kurti.

“Kosova është shtet evropian e cila i jep shpresë gjithë Ballkanit. Në këtë drejtim na duhet ndihmë nga BE e që janë të domosdoshme që të ketë paqe në Ballkan. Këto vlera janë sundimi i ligjit, reciprociteti i të drejtave të pakicave. Gjermania si anëtare me ndikim në BE mund të na ndihmojë në këtë drejtim. Kosova është përkrahëse e procesit të Berlinit. Në fushën e energjisë synimet tona përputhen për furnizim me energji”, tha Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se shteti i saj është donatori më i madh në Kosovë, derisa shtoi se këtë duan ta zgjerojnë.   

“Është edhe njohja e patentë shoferëve. Drejtimi i një veture është shumë i rëndësishëm dhe lehtëson punën e njerëzve. Ne do të angazhohemi ashtu që realiteti i jetës së njerëzve. Dhe projekte të tjera duhet të pasojnë së shpejti për liberalizimin e vizave. Ne kemi folur edhe për rrugën e reformave që ka nisur qeveria juaj, siç është luftimi i korrupsionit, sundimi i ligjit dhe keni mbështetjen e plotë nga ne”, tha ajo.

Po ashtu, Annalena Baerbock, ka thënë se Kosova e ka kryer punën e saj sa i përket liberalizimit të vizave dhe se tani punën e saj duhet ta kryejë edhe Bashkimi Evropian.

Ajo tha se BE-ja është duke ua zgjatur dorën vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt Evropës Perëndimore.

“Kosova në këtë drejtim e ka bërë punën e saj dhe tani i mbetet BE-së që ta bëjë punën e saj. Ne kemi folur edhe për rrugën e reformave të forta të cilën e ka nisur qeveria juaj. Luftimi i korrupsionit, forcimi i sundimit të ligjit, ju në këtë rrugë e keni mbështetjen tonë të plotë. Kjo tregon shumë mund dhe nuk bëhet brenda ditës”, ka thënë Baerbock.

Sipas saj, për Kosovën para anëtarësimit në BE është statusi i kandidatit, ndërkaq para statusit të kandidatit është dialogu me Serbinë.

Ndërkaq teksa ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, Baerbock ka thënë se të dy palët duhet të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët sa i përket zgjedhjeve serbe, më 3 prill.

“Një nga përparësitë është forcimi i besimit në rajon. Na duhen përparime në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë nuk mund ta imagjinojë që këto vuajtje të luftës që ka përjetuar secila familje dhe dhunime gjatë luftës do të përcillen me gjenerata. Ne do të marrim përgjegjësi dhe kërkohet guxim për vendime të vështira. Me rendësi është bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sikurse realizimi për zgjedhje në Kosovë nga Serbia që të gjendet zgjidhje për të votuar serbët në Kosovë”, tha ajo.

Përgatiti F. Sertolli


MË SHUME NGA Lajme