Dugolli: Siguria në Ballkan cenohet nga pretendimet e Serbisë
BKT
Lajme

Dugolli: Siguria në Ballkan cenohet nga pretendimet e Serbisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri në  Kuvendin e Kosovës, Enver Dugolli ka thënë se situata e sigurisë në krejt botën ka ndryshuar pas 24 shkurtit, kur Rusia padrejtësisht e sulmoi Ukrainën.

Ai në një intervistë për RTK-në tha se as Ballkani Perëndimor nuk mund të jetë komod për shkak të Serbisë, e cila nuk tregoi se distancohet apo e gjykon agresionin rus në Ukrainë.

Duke e marrë parasysh se Serbia ka një qëndrim krejt ndryshe nga bota demokratike në raport me Rusinë, sipas Dugollit institucionet e Kosovës por edhe institucionet ndërkombëtare në Kosovë duhet të investojnë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit për shkak se derisa Serbia ka një pozicion të tillë nuk mund të përjashtohet asgjë.

“E kanë thënë edhe zyrtarët e lartë të NATO-s, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian se Ballkani është i cenueshëm. Pra, siguria është e cenueshme për shkak të pretendimeve që ka Serbia, sidomos e kanë përmendur edhe Bosnjën dhe Hercegovinën, duke e ditur që Dodik është duke tentuar që ta shkëpusë njëanshëm dhe ta prishë marrëveshjen e Dejtonit dhe ta shpërbëjë këtë shtet. Por, ata kanë thënë që edhe në një vent tjetër të rajonit mund të ketë destabilizim”, tha ai.

Sipas Dugollit, sikurse Rusia që i shfrytëzon komunitetet etnike brenda Ukrainës edhe Serbia në fund të shekullit të kaluar, por edhe tash mundohet që përmes elementit etnik të krijojë destabilitet. 

“Rusia shpesh po e përmend Kosovën, e ka përmend edhe më herët, por tani gati nuk shpëton ditë pa e përmendur. Kjo është tendenca e Rusisë që ta barazojë Krimenë me Kosovën, nuk është diçka e re, por gjithmonë këtë e ka si një lloj përgjigje ndaj Perëndimit sepse konsideron që Kosova është bërë shtet pikërisht me përkrahjen e perëndimit.Rusia dëshiron të heqë një paralele, por nuk është rasti i njëjtë, këtë e kemi thënë vazhdimisht”, theksoi ai.

Duke folur lidhur me zërat e fundit që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s me një procedurë të përshpejtuar, Dugolli tha se është krijuar një momentum i ri për shkak së tani çështja e sigurisë  është top prioritet edhe në Evropë dhe në botë, andaj tani Kosova ka një rast të mirë që ta merrë më shpejt përgjigjen për anëtarësim në institucionet evropiane.

“Ne e kuptojmë që edhe këto integrime e kërkojnë kohën e tyre dhe kanë procedura për këtë, mirëpo momentumi politik është shumë i volitshëm që tani të bëjmë hapa më të përshpejtuar. E duam një përshpejtim për shkak se është një garanci më e madhe për stabilitet. Një Kosovë e integruar në institucionet evropiane është një garanci më e fortë për një stabilitet më të qëndrueshëm në Ballkan”, përfundoi ai.

Qeveria e Kosovës dy ditë më parë ka themeluar Grupin ndërinstitucional për integrimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, NATO.
Përgatiti: Emine Hoti


MË SHUME NGA Lajme