Haxhiu e Haekkerup presin që marrëveshja për burgjet të finalizohet në maj
BKT
Lajme

Haxhiu e Haekkerup presin që marrëveshja për burgjet të finalizohet në maj

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për dhënien me qira të qelive për të burgosurit, pritet të nënshkruhet në fillim të muajit maj. Kështu ka bërë të ditur ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media pas takimit me homologun e saj, Nick Haekkerup.

“Qëllimi është që kjo marrëveshje të finalizohet sa më shpejt, më së largu në fillim të muajit maj. Por ende se kemi caktuar datën për miratim në Kuvendet e dy vende”, theksoi Haxhiu.

Ajo ka theksuar se kjo marrëveshje ka zgjuar interesim edhe të qytetarëve sepse konsiderohet si një marrëveshje me peshë. “Marrëveshje me shtetet serioze i kontribuojnë institucioneve tona. Ky akt do të dëshmojë se Kosova është partner serioz. Përmes kësaj marrëveshje duam të vazhdojmë thellimin e reformave në drejtësi. Nga kjo konferencë theksoj se zotimi jonë është i qartë dhe do të angazhohemi për bashkëpunim në fusha të zgjeruara”, shtoi ministrja Haxhiu.

Ndërkaq, ministri danez, Nick Haekkerup tha se kjo marrëveshje do të mundësojë që Danimarka të jetë më e zëshme edhe sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, por edhe anëtarësimit në NATO dhe BE.

“Ne kemi kontaktuar me Kosovën sepse kemi raporte të gjata me shtetin tuaj dhe kemi qenë ndër vendet e para që e kemi njohur Kosovën. Ndihemi më rehat me Kosovën. Ishte e natyrshme ta fuqizojmë bashkëpunimin tonë. Kjo marrëveshje do të na mundësojë të jemi më të zëshëm në liberalizimin e vizave dhe për çështjet tjera rreth anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe BE”, tha ai./RTKlive/


MË SHUME NGA Lajme