Inspektorët gjejnë parregullsi në pika të karburanteve dhe markete
Venhar Isufi
Ngritja e çmimeve të prodhimeve në Kosovë, sidomos e naftës dhe e vajit, ka aktivizuar institucionet e shtetit. Edhe sot gjatë ditës inspektorët kanë kontrolluar disa pika të karburanteve e të marketeve, në të cilat kanë vërejtur manipulime.
“Na duhen dokumentet, kuponët e fundit të furnizimit, faturat e shitjes me shumicë dhe faturat me pakicë”, ishin këto disa prej kërkesave të inspektorëve në një pikë karburanti.
Inspektorët kanë bërë me dije për RTK-në për punën që kanë bërë pas një inspektimi në terren. Sipas tyre, të gjitha dokumentet janë kontrolluar, është bërë matja e sasisë dhe më pas është informuar menaxheri i pikës se pas matjeve që kanë bërë, kanë vënë re ndryshime në sasi.
Aksioni i Inspektoratit të Kosovës ka vazhduar edhe në disa markete në Fushë-Kosovë. Sipas inspektorëve të tregut, ngritje të çmimeve në ushqime esenciale ka, duke përfshirë edhe vajin.
“Ngritjet e çmimeve janë shumë të lehta. Vaji nga data 5 mars është shitur 1.69 euro centë, ndërsa nga data 8 është shitur 1.99 euro centë”, kanë treguar inspektorët.
Dogana e Kosovës, në një përgjigje për RTK-në, ka thënë se në fillim të këtij viti e deri më tash janë importuar 3.3 milionë litra vaj luledielli të përpunuar dhe 1.4 milion litra vaj të papërpunuar, ndërkaq vajrat ushqimore në import kanë çmim nga 1.22 euro deri në 1.45 euro, të cilat për dy ditë me radhë në disa markete janë shitur me çmim 3.49 euro centë.
Për ngritjen e çmimeve të disa mallrave ka folur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Qeveria e republikës së Kosovës dënon ashpër të gjitha manipulimet, mashtrimet që janë bërë me çmimet”, ka thënë ajo.
Përveç në komunën e Prishtinës, inspektorët kanë zhvilluar hetime edhe në komuna të tjera.
Inspektorati i Tregut i Kosovës dhe Policia e Kosovës mbrëmë vonë kanë mbyllur dy depo të dy bizneseve për shkak të dyshimeve për manipulim me çmimin e vajit. Njërën depo e kanë mbyllur në Fushë-Kosovë, tjetrën në Çagllavicë.
Përgatiti: K. Kasumi























