Eurodeputetët letër Komisionit Evropian: Ngrini negociatat me Serbinë
Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian, nga grupi liberal “Renew Europe”, i kanë dërguar letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, duke kërkuar ngrirjen e negociatave me Serbinë dhe ndërprerjen e ndihmave financiare, derisa të harmonizojë qëndrimin me BE-në karshi Rusisë.
Grupi i deputetëve të Parlamentit Evropian kanë kërkuar nga Komisioni Evropian që të suspendohen negociatat e anëtarësimit si dhe ndihmat financiare për Serbinë për shkak të qëndrimit të Beogradit zyrtar karshi Rusisë. Në letrën e adresuar tek presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen si dhe nënpresidenti i saj, Josep Borrell, theksohet se Serbia po rrëshet në një lëvizje të rrezikshme drejt autoritarizmit që është në kundërshtim me përpjekjet e saj paralele për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë që konsiderohet se kjo paqartësi ka arritur në kulmin e saj me refuzimin që të vendos sanksione ndaj Rusisë si kundërpërgjigje të agresionit ndaj Ukrainës.
“Prandaj, i bëjmë thirrje Komisionit Evropian që t’ju bëjë thirrje edhe njëherë autoriteteve serbe që t’i bashkojnë qëndrimet e përbashkëta të BE-së për Rusinë. Nëse Serbia zgjedhë të injorojë sërish këtë thirrje, ne kërkojmë ngrirjen e përkohshme të negociatave të anëtarësimit me qeverinë serbe dhe ndalimin e mbështetjes financiare ndaj vendit”, thuhet në letrën e nënshkruar nga gjashtë deputetë të grupit të liberalëve.
Ata konsiderojnë se kjo ngrirje e proceseve duhet të vazhdojë derisa Serbia të angazhohet në veprime të besueshme, të prekshme dhe të qarta që synojnë përafrimin e deklaratave, politikave dhe vlerave të saj me ato të Bashkimit Evropian.
Ndryshe, Serbia përveç Bjellorusisë është i vetmi shtet i kontinentit evropian që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Deputetët e grupit liberal, nënshkruesit e letrës e konsiderojnë të habitshme se mediet e Serbisë të kontrolluara siç thuhet rreptësisht nga partia e presidentit Aleksandër Vuçiq e lavdërojnë Putinin dhe në baza ditore shpërndajnë lajme të rreme rreth Bashkimit Evropian dhe agresionit rus në Ukrainë.























