Operacioni "Pika", Sveçla: Mbështes çdo polic që garanton rend dhe ligj
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka përgëzuar aksionin e Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë për hetimin dhe arrestimin e policëve të dyshuar për vepra penale.
Sveçla në reagimin e tij në Facebook, shkruan se mbështetë secilin zyrtar policor që punon për arritjen e qëllimeve për të siguruar rend, ligj e siguri për qytetarët e vendit.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme, do të vazhdoj të jap mbështetjen time maksimale për secilin zyrtar policor veç e veç dhe për Policinë në tërësi në arritjen e qëllimeve të tyre madhore për të garantuar rend, ligj e siguri për të gjithë qytetarët në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, shkruan ministri.
Megjithatë, ministri i brendshëm thotë se nuk do të lejojë askënd që njollos punën e ndershme dhe profesionale të zyrtarëve tjerë policorë, të ketë vend në PK.
Në mëngjesin e së hënës, Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se është duke vazhduar aksioni policor në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, në koordinim me Prokurorinë Speciale.
“Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ky operacion i IPK-së i koduar me emrin “Pika” është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin për media nga IPK.
Sipas njoftimit thuhet se në kuadër të këtij veprimeve hetimore dhe operative nga hetuesit e IPK-së pritet që fillimisht të shoqërohen e më pas edhe arrestohen dhjetëra zyrtarë policorë të dyshuar në këtë rast (kryesisht zyrtarë të policisë kufitare) si dhe disa zyrtarë doganorë.
Postimi i plotë i ministrit Sveçla:
Policia e Kosovës renditet si institucioni i dytë më i besueshëm për qytetarët dhe kjo natyrisht është falë punës së zyrtarëve policor dhe jo vetëm. Ne jemi zotuar që këtë vlerësim do ta ruajmë dhe do të punojmë maksimalisht që ta ngrisim më lartë. Në kuadër të kësaj, të gjithë ata që tentojnë apo e njollosin punën e ndershme dhe profesionale të zyrtarëve tjerë policor, nuk kanë vend në Policinë e Kosovës. Policia e Kosovës nuk do të jetë më asnjëherë vendi ku thyhet ligji e bëhet korrupsioni.
Si Ministër i Punëve të Brendshme, do të vazhdoj të jap mbështetjen time maksimale për secilin zyrtar policor veç e veç dhe për Policinë në tërësi në arritjen e qëllimeve të tyre madhore për të garantuar rend, ligj e siguri për të gjithë qytetarët në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Përgëzoj Inspektoratin Policor të Kosovës dhe institucionet vartëse të MPB-së të cilët me seriozitet dhe ndershmëri punojnë maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe në përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre. Qëllimi ynë kryesor është të garantojmë integritet dhe profesionalizëm brenda të gjitha agjencive që drejtojmë. Në kuadër të kësaj, kushdo që cënon integritetin e institucionit, padyshim do të përballet me drejtësinë sipas ligjeve në fuqi./S.Kelmendi/RTKlive























