Bëhet përzgjedhja e anëtarëve të Komisionit të Granteve nga komunat (2022)
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kryesoi sot takimin e Komisionit të Granteve, ku u bë përzgjedhja e anëtarëve të rinj nga radhët e kryetarëve të komunave për Komisionin e Granteve për vitin 2022.
“Zgjedhja e anëtarëve nga radhët e komunave u bë përmes dy shorteve të veçanta, të cilat mbahen në bazë vjetore nga Komisioni i Granteve. Sipas procedurës, të gjitha komunat e Kosovës ishin të përfshira në short për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Komisionit të Granteve. Shorti u zhvillua në dy faza, ku në fazën e parë ishte hedhja e shortit për përzgjedhjen e tre (3) anëtarëve të rinj nga kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës, dhe në fazën e dytë ishte hedhja e shortit për përzgjedhjen e një (1) anëtari të ri nga kryetarët e komunave pakicë të Republikës së Kosovës”, thuhet në një njoftim nga Qeveria e Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, anëtarët e rinj të Komisionit të Granteve nga komunat, të përzgjedhur me short për vitin 2022 janë: kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni dhe kryetari i Novobërdës, Sasha Millosheviç.
“Komisioni i Granteve, sipas Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, është mekanizëm që përfshinë përfaqësues të institucioneve të ndryshme në nivelin qendror dhe lokal. Roli i Komisionit është të aprovojë grantin e përgjithshëm, si dhe grantet specifike për shëndetësi dhe arsim në nivelin lokal, gjë që reflekton mbi rëndësinë e punës së këtij Komisioni. Parimet, kriteret dhe formulat e zbatuara për ndarjen e granteve qeveritare për financimin e komunave bazohen në këtë ligj dhe tabelën e projeksioneve makro-fiskale, e cila përgatitet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve", thuhet në njoftim.
Po ashtu vazhdon njoftimi se Komisioni i Granteve do të takohet sërish në muajin prill për të diskutuar dhe aprovuar financimin komunal për vitin 2023, dhe gjithashtu orientimet për vitet 2024-2025, bazuar në prioritetet strategjike të Qeverisë në fushën e marrëdhënieve fiskale ndërqeveritare.
(F.S)























