Kosova ende s’ka kërkesë zyrtare nga Serbia për mbajtjen e zgjedhjeve
Valmira Saraçi
Serbia duhet të dërgojë kërkesë zyrtare në Kosovë për të kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit edhe brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Mimoza Kusari Lila e cila është prijëse e deputetëve të partisë më të madhe parlamentare, tha se një kërkesë të tillë shteti serb ende nuk e ka bërë. E partitë në opozitë kanë kërkuar që Kosova ta respektojë kushtetutën, ligjet në fuqi e rezolutën e Kuvendit që kishte ndaluar referendumin serb të janarit në Kosovë.
Kosova ende nuk e ka një kërkesë zyrtare nga Serbia për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme serbe edhe brenda territorit të Republikës.
E kjo kërkesë duhet të jetë e bazuar në ligjet e aplikueshme të Kosovës dhe në praktikat evropiane të cilën do ta shqyrtonin institucionet e Kosovës për të vendosur për ose kundër mbajtjes së tyre këtu.
Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila, tha se Serbia deri tash i është drejtuar me kërkesë institucioneve ndërkombëtare, por jo edhe Kosovës. E kjo temë, tregoi ajo, u diskutua edhe në takimin e Komisionit për Stabilizim Asocim në Strasburg.
Opozitarët thanë se duhet të respektohet kushtetuta, ligjet në fuqi, por edhe rezoluta e miratuar në janar kur institucionet ndaluan mbajtjen e referendumit serb.
Blerta Deliu Kodra - deputete e PDK-së, tha se na presin edhe pak deri në afatin e përcaktuar për mbajtje të zgjedhjeve dhe një koordinim më i mirë i institucioneve të Kosovës do të kishte qartësi lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve atje, pres që të kemi një dinamikë më të shtuar, tha ajo.
Ndërsa Driton Selmanaj - deputet i LDK-së, tha se qeveria duhet të ketë kujdes maksimal që të ruaj raportin me ndërkombëtaret, deri këtu kemi ardhur si rezultat i bashkëpunimit me ta. Çdo veprim që është ndërmarrë në Veri të Kosovës dhe për tema të mëdha sidomos ne raport me Serbinë, Kosova ka dal mirë vetëm kur ka qenë në koordinim shumë të ngushtë me faktorin ndërkombëtar, tha ai.
Time Kadrijaj - deputete e AAK-së, tha se qeveria ka kërkuar përkrahjen e deputetëve dhe të Kuvendit dhe ne i kemi dhënë përkrahje, qeveria ka kompetenca të plota me vendos dhe ajo që duhet të bëjë është të respektoj kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, tha ajo.
Këto deklarime u bënë pas mbledhjes së shkurtër të Kryesisë që dështoi në mungesë kuorumi, por pavarësisht kësaj në dy seanca do të mblidhen ligjvënësit këtë javë.
Me 40 nënshkrime deputetësh opozitarë të martën Kuvendi do të mblidhet për të diskutuar për
ngritjen e çmimeve, e të mërkurën në bazë të kompetencave kushtetuese që ka, kryetari vendosi për vazhdimin 5 seancave të mbetura me rreth 40 pika të pashqyrtuara të rendit të ditës.























