Kievin e pret fati i Sarajevës?
Jeton Musliu
Është vetëm një person që mund t`i japë fund luftës në Ukrainë dhe ai është presidenti rus, Vladimir Putin. Kështu deklaroi në intervistë për RTK-në, gazetari izraelit, Itai Anghel, i cili për tre javë raportoi nga Kievi.
E në këtë situatë, sipas tij, lufta atje do të zgjasë. Në intervistën e plotë që transmetohet në RTK1 e RTK3 sonte (e mërkurë) në emisionin “Imazhi i ditës”, ai rrëfen për përkeqësimin e situatës humanitare atje.
"Është shumë ftohtë. Është minus 3 gradë. Dhe tani nuk mund të gjesh ushqimin që mund të blesh, e të cilin ke mundur ta blesh para një jave”, thotë Anghel në këtë intervistë.
“Prandaj situata është duke u përkeqësuar".
Gazetari izraelit deklaroi se sheh ngjashmëri mes luftës në Ukrainë dhe atyre në Kosovë e Bosnje e Hercegovinë e sidomos në Sarajevë, ku bombardoheshin ndërtesat dhe snajperistët ishin në çdo qoshe.
"Edhe atje i sheh gjërat që shihen në çdo luftë dhe ka ngjashmëri".
Megjithatë, Anghel deklaron se atje frika është edhe më e madhe sepse vërehet qartë se NATO nuk do të ndërhyjë. Për më tepër, deklaron se edhe vednet e tjera si Moldavia, kanë frikë nga Rusia. “Kjo luftë nuk është e lidhur vetëm me Ukrainën e Rusinë”.
Sipas gazetarit Itai Anghel, kësaj situate, fundin mund t'ia vendos vetëm një njeri.
"Është një person që vendos është vetëm një burrë dhe ky është Vladimir Putin".























