Afaristët kërkojnë uljen e TVSH-së në produktet esenciale për tre muaj
Agresioni rus në Ukrainë ka ngritur shqetësimet e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe derivateve të naftës në Kosovë.
Afaristët e Kosovës kanë kërkuar nga institucionet e vendit që të formohet një komision për kontrollin e çmimit të naftës.
Në një intervistë në emisionin Aktual në RTK-së, drejtori i Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi, ka kërkuar uljen e TVSH-së në produktet esenciale për tre muaj.
Ai tha se qytetarët do të kenë mundësi me ble më lirë nga ulja e TVSH-së.
“Me uljen e TVSH-së 5 për qind qytetarëve u jepet mundësia që të blejnë me kosto me të vogël dhe të ketë konsum më shumë të qytetarëve, që ata të kenë mundësi me ble më shumë produkte, sepse mos blerja e produkteve dhe pamundësia e ushqimit të qytetarëve mund të jetë edhe pasojë shëndetësore për ta”, tha Krasniqi.
Tutje ka thënë ai, se ka mundësi të bëhet ulja e TVSH-së.
“ Vetëm duhet një koordinim më i mirë, duhet ndryshime shumë të mëdha në infrastrukturën ligjore, të udhëzimeve administrative që janë në kundërshtim me ligjet. Qeverisë ne ia dërgojmë materialet në vazhdimësi, propozimet tona se si duhet të reagojë, dhe duhet të kenë një reagim më të shpejtë”, ka thënë Krasniqi.
Edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve kanë kërkuar uljen e TVSH-së.
Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve tha se tashmë jemi thëlluar në një krizë ekonomike, e cila siç tha ai është përcjell me rritjen e çmimeve.
“Jemi thelluar me një krizë ekonomike e cila është përcjell me rritje të çmimeve, me rritje të inflacionit, me ulje të konsumit, me uljen e aftësisë blerëse të konsumatorëve gjë e cila ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në gastronomi”, ka thënë Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomve./V.Thaçi























