Zekaj: Kosova duhet të ketë një kryeprokuror të shteti me integritet
Në zyrat e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), sot ka filluar procesi i intervistimit të pesë kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.
Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerësoi se zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit, është shumë me rëndësi për sistemin e drejtësisë së Kosovës.
“Shpresoj që pas këtij procesi të del një Kryeprokuror i Shtetit, të ketë profesionalizesm, që do t’i prijë luftës kundër korrupsionit. Për këto shtatë vite ka pasur dështime në ngritjen e aktakuzave të profilit të lartë”, tha ai për RTK.
Zekaj ka vlerësuar se pas këtij procesi nëse ai do të jetë i suksesshëm, sistemi i drejtësisë në vend të marrë nota pozitive nga institucionet ndërkombëtare.
Ndryshe në garë për të marrë besimin e anëtarëve të KPK-së për këtë pozitë janë: Blerim Isufaj, ish-kryesues i KPK-së dhe aktualisht kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Kujtim Munishi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti, prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, si dhe Lulzim Sylejmani e Shqipdon Fazliu, të dy prokurorë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Për fillimin intervistimit të pesë kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, sot ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se procesi i intervistimit të kandidatëve për kryeprokuror të shtetit që do të mbahet sot është tejet i rëndësishëm për qytetarët dhe shtetin e së drejtës. “Sot zhvillohet intervistimi i kandidatëve për kryeprokuror të shtetit. Ky proces është tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, për qytetarët dhe shtetin e së drejtës, prandaj ka vëmendjen e të gjithëve. Kosova dhe qytetarët kanë nevojë që të zgjidhet një kryeprokuror që ka integritet të lartë moral dhe profesional por edhe që është i guximshëm, punëtor e energjik”, ka shkruar Kurti në faqën e tij Facebook.(A.BELA)























